Kryeministri i Malit të Zi: Në maj marrim vendim për “mini Schengenin”

  • G.G /
  • 17 March 2021 - 16:06
Kryeministri i Malit të Zi: Në maj marrim vendim për “mini Schengenin”

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq vlerësoi se marrëdhëniet aktuale të vendit të tij me Serbinë janë “paksa të përmbajtura”, por tha se dëshira e qeverisë së tij është që “t’i bëjë marrëdhëniet më të mira”, raporton Tanjug.

“Ne ndoshta do ta tregojmë atë me shembuj praktikë në të ardhmen, sepse nuk mjafton vetëm të kesh dëshirë, por duhet rezultat. Ne do të bëjmë më të mirën tonë për t’i bërë marrëdhëniet ashtu si duhet, për të arritur zgjidhjet më të mira për të gjithë përmes komunikimit”, tha Krivokapiq për N1 TV.

I pyetur nëse ai ka të njëjtin qëndrim ndaj nismës së “mini Schengenit” sikurse rivali i tij, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq – i cili tha se Mali i Zi nuk dëshiron një iniciativë që mund të jetë një zëvendësim për integrimin evropian – Krivokapiq tha se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Zyra për Integrimit Evropian janë obliguar për të bërë një analizë të hollësishme rreth kësaj.

“Ne ndoshta do të kemi një qëndrim për “mini Shengenin “në maj. Unë nuk kam marrë ndonjë vendim pa një analizë të qartë. Kur të gjitha analizat tregojnë se është zgjidhja më e mirë… Por sa i përket lirisë së lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, mendoj se kurrë nuk ka qenë problem”, tha Krivokapiq. 

(Kosova Sot Online)