Zbulohet motivi i sulmuesit që vrau 8 persona në qendrat e masazhit

  • E.K /
  • 18 March 2021 - 11:31
 Zbulohet motivi i sulmuesit që vrau 8 persona në qendrat e masazhit

Sulmuesi i armatosur që vrau tetë persona në disa qendra masazhi në Georgia të Shteteve të Bashkuara i kishte vizituar vetë ato më parë dhe i fajësonte për krijimin e varësisë nga marrëdhëniet seksuale, tha policia.

Robert Aaron Long, 21 vjeç, qëlloi për vdekje tetë persona, përfshirë tri gra aziatike, në tri qendra masazhi. Ai më pas iku nga vendi i ngjarjes dhe u nis drejt Floridës për të sulmuar qendra të industrisë së pornografisë, kur u arrestua 150 milje në jug të Atlantas. Policia u detyrua t’ia nxirrte veturën nga rruga për ta arrestuar.

Jo të gjitha viktimat ishin pjesë e stafit të qendrave të masazhit. Miqtë e njërës prej grave të vrara thanë se ajo ishte kliente dhe kishte shkuar aty me bashkëshortin, shkruan Daily Mail.

Sulmuesi që vrau 8 persona, Robert Aaron Long

Fillimisht, policia tha se ishte duke hetuar nëse raca ishte motiv i sulmuesit, sepse gjashtë nga tetë viktimat ishin gra me prejardhje nga Azia.

Megjithatë, më vonë policia tha se sulmuesi u ka thënë që kjo nuk ka qenë arsyeja e sulmit. Sipas tij, ai është i varur nga marrëdhëniet seksuale dhe pornografia dhe dëshiroi që ta zhdukte joshjen që ia shkaktojnë qendrat e masazhit.

Sulmuesi bleu një pistoletë 9-milimetërshe vetëm disa orë para sulmit masiv. Ai ishte nisur drejt Floridës për të kryer më shumë sulme.

(Kosova Sot Online)