Daut Haradinaj, kryetari i degës së Deçanit që synon ta udhëheqë kryeqytetin

  • A.P /
  • 18 March 2021 - 22:46
Daut Haradinaj, kryetari i degës së Deçanit që synon ta udhëheqë kryeqytetin

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se kandidati i këtij subjekti për komunën e Prishtinës është Daut Haradinaj.

Përmes një statusi në Facebook, Ramush Haradinaj ka thënë se me këtë kandidaturë është konfirmuar respekti i AAK’së për kryeqytetin. Ai po ashtu ka dhënë një profil për kandidatin e ri të Prishtinës.

“Pas konsultimeve të vazhdueshme, me kënaqësi ju njoftoj për kandidaturën e Aleancës për kryeqytetin.  Për Kryetar të Prishtinës, kandidat nga AAK do të jetë z. Daut Haradinaj. Ai është njëri nga protagonistët kryesorë të luftës për liri dhe shtetndërtimit, udhëheqës në UÇK dhe TMK, deputet i zgjedhur dhe i dyti më i votuar nga radhët e Aleancës, ish shef i Grupit Parlamentar dhe jurist me profesion“, ka shkruar ai.

Daut Haradinaj ka lindur në fshatin Gllogjan afër qytetit të Deçanit. Ai është politikan dhe jurist shqiptar si dhe ish-Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Ai është vëllau i ish-Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.

Pas luftës, Dauti ka qenë pjesë e udhëheqjes së Trupave Mbrojtës të Kosovës (TMK).

Daut Haradinaj është zgjedhur deputet në disa legjislatura me radhë prej vitit 2004. Ai ka hequr dorë nga posti i deputetit kësaj radhe për t’ia lëshuar vendin Shemsedin Dreshajt i cili fitoi mandatin për herë të parë.

Daut Haradinaj është kryetar i degës së AAK’së në Deçan, por ai vendosi të kandidojë për këtë kryeqytetin. Ai ka kohë që jeton në Prishtinë.

Ai në të kaluarën ka qenë edhe shef i Grupit të Kuvendit të AAK’së.

(Kosova Sot Online)