Besnik Berisha pretendon që me këtë video ta arsyetojë “nervozizmin” e Shaban Gogajt

  • E.K /
  • 19 March 2021 - 08:04
 Besnik Berisha pretendon që me këtë video ta arsyetojë “nervozizmin” e Shaban Gogajt

Avokati Besnik Berisha ka postuar një video të të dyshuarit për vrasjen e Agonis Tetaj, Shaban Gogaj, duke treguar fytyrën dhe shprehjet e tij.

Media ka postuar një video ku shihet një kënd tjetër i momentit kur ndodhi ngjarja tragjike, Berisha thotë se arsyeja pse Gogaj e ka bërë atë mimikë me gojë, ka qenë për arsye të protezave që ai i ka mbajtur.

‘’Shabani ka mbajt proteza në gojë dhe në mesin e mimikave që i kanë ngel nga protezat që i ka pas pak ditë që i ka heq, pak kohë që i ka heq protezat nga kjo kohë, e ka pasur shprehi me këto buzë, si në këtë rast”, tha Berisha.

Ai tani ka postuar edhe një video në rrjetin social Facebook ku shihet fytyra e të dyshuarit për vrasje dhe mimikat e fytyrës së tij.

“Per ata qe dyshojne se mimikat e Shaban Gogajt ishin si shprehje e nervozizmit, e jo si shprehi e ngelur nga protezat ne dhembet e tij, i ftoj ta shikojne edhe kete video.”, ka shkruar Berisha.

Berisha është avokat i të të dyshuarit për vrasjen që ndodhi në Decan. Alibia e tij është që vrasja ka ndodhur pa dashje.

Ndryshe, Të martën është bërë rikualifikimi i veprës në rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj nga Deçani, nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje nga pakujdesia”. Lidhur me këtë, familja e viktimës ka dërguar një letër publike në adresë të kryeprokurorit të shtetit dhe ambasadorit të SHBA’së, Britanisë e Gjermanisë në Prishtinë.

Babai i viktimës, Isuf Tetaj, në letrën publike po e akuzon prokurorin e rastit, Agron Uka, se është duke manipuluar me rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj.

Në letrën e tij publike të cilën ia ka dërguar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi dhe ambasadorëve të vendeve të huaja në Kosovë, Isuf Tetaj ka bashkëngjitur edhe aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj.

Me këtë letër, ai po kërkon që të përjashtohet prokurori Agron Uka nga ky rast si dhe të vendoset gjykim meritor lidhur me vrasjen e djalit të tij.

(Kosova Sot Online)