Shaban Gogaj mbetet në paraburgim

  • E.K /
  • 19 March 2021 - 15:14
 Shaban Gogaj mbetet në paraburgim

Gjykata Themelore e Pejës sot ka marrë vendim që të rihap rastin lidhur me vrasjen e Agonis Tetajt, në vendin e tij të punës në shtator të vitit 2018.

I akuzuari për vrasjen e të riut nga Deçani, Shaban Gogaj, ka mbetur në paraburgim.

Ndryshe, një video nga vrasja e Agonis Tetajt është publikuar të mërkurën nga babai i Agonisit, pas rikualifikimit të veprës penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje nga pakujdesia”.

Sipas Isuf Tetajt, u manipulua kur vepra e vrasjes së djalit të tij u rikualifikua nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Lidhur me këtë, familja e viktimës ka dërguar një letër publike në adresë të kryeprokurorit të shtetit dhe ambasadorit të SHBA’së, Britanisë e Gjermanisë në Prishtinë.

Babai i viktimës, Isuf Tetaj, në letrën publike e ka akuzuar prokurorin e rastit, Agron Uka, se është duke manipuluar me rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj.

Në letrën e tij publike të cilën ia ka dërguar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi dhe ambasadorëve të vendeve të huaja në Kosovë, Isuf Tetaj ka bashkëngjitur edhe aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj.

Me këtë letër, ai po kërkon që të përjashtohet prokurori Agron Uka nga ky rast si dhe të vendoset gjykim meritor lidhur me vrasjen e djalit të tij.

Po ashtu, Isuf Tetaj në këtë letër ka bashkëngjitur edhe videon nga momenti i vrasjes së djalit të tij, në vendin e punës.

Edhe kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, ka reaguar pas publikimit të videos së vrasjes së Agonis Tetajt nga Deçani dhe letrës publike të babait të tij, Isuf Tetaj, i cili akuzoi prokurorin e rastit, Agron Uka, pas ricilësimit të veprës penale nga “Vdekje e rëndë” në “Vdekje nga pakujdesia”.

Lumezi ka deklaruar se ka marrë vendim që do ta caktojë një prokuror tjetër për këtë rast.

“Si Kryeprokuror i Shtetit jam i shqetësuar dhe njëkohësisht i gatshëm që drejtësia të shkojë në vend. Prandaj, për të parandaluar njëanshmërinë dhe për t’iu shmangur paragjykimeve për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, sot kam marrë vendim që brenda kompetencave të mia ligjore të marrë lëndën nga prokurori i çështjes dhe ta ricaktoj atë te një prokuror tjetër”, thuhet në reagimin e kryeprokurorit të Shtetit.

“Gjithashtu, do të kërkojmë nga trupi gjykues që të mos e shpallë shqyrtimin gjyqësor të përfunduar, por të marrë prova të tjera të nevojshme, të cilat do ta zbardhin tërësisht të vërtetën në këtë çështje penale-juridike, konform nenit 357, paragrafi 1 të KPPRK-së”, ka deklaruar Lumezi.

Ai ka thënë se pas vlerësimit të lëndës, ata që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale, do të përgjigjen për veprimet e tyre.

“Po ashtu, pas vlerësimit të lëndës, të gjithë ata që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale dhe në kundërshtim me ligjin do të përgjigjen për veprimet e tyre. Prandaj është e rëndësishme për të gjithë dhe për publikun e gjerë të kuptohet se Prokurori i Shtetit nuk bënë përjashtim për askënd, pa marrë parasysh se ku punon ose më kë bashkëpunon”, ka deklaruar Lumezi.

“Si Kryeprokuror i Shtetit, siguroj familjen dhe të gjithë qytetarët se do të angazhohem për drejtësi maksimale për këtë rast”, ka thënë ai.

E një video tjetër nga momenti i vrasjes është publikuar nga Besnik Berisha, avokati i të dyshuarit për vrasjen e Agonis Tetajt.

Avokati pretendon se reagimi i dorasit tregon se vrasja ishte aksidentale.

Në këtë videon shihet reagimi i Shaban Gogajt pas shkrepjes me armë në drejtim të Agonis Tetajt.

Berisha këtë video e përcolli edhe me një shkrim, e ku tha se paraqitet prova se se si Gogaj e vrau aksidentalisht shokun e tij.

“Pamje të reja sesi reagoi 18-vjeçari Shaban Gogaj pasi aksidentalisht privoi nga jeta shokun dhe kolegun e tij Agonis Tetaj. Jam kureshtar të di, nëse ekziston qoftë edhe një rast i vetëm, i shkruar, i dëgjuar, apo i dëshmuar, që i përgjigjet, qoftë për së afërmi, aksidentit tragjik të vrasjes së Agonis Tetaj e që provon se dorasi, menjëherë pas kryerjes së vrasjes të pretenduar “me dashje”, reagon kështu siç ka reaguar 18-vjeçari Shaban Gogaj, duke gulçuar, bërtitur, klithur, goditur kokën dhe veten me grushta, pasi kuptoi se miku i tij më i mirë u rrëzua në tokë i gjakosur. Kujtojmë që ky aksident tragjik ndodhi në ditën më të lumtur të jetës së 18-vjeçarit Shaban Gogaj, në të cilën i njëjti mori konfirmimin dhe bekimin për fejesë nga prindi i të dashurës së tij. Faktet nuk duan koment!!”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)