Turqia del nga Konventa e Stambollit për mbrojtjen e grave, ministrja me mbulesë mbron vendimin

  • S.A /
  • 20 March 2021 - 08:37
Turqia del nga Konventa e Stambollit për mbrojtjen e grave, ministrja me mbulesë mbron vendimin

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, e ka tërhequr vendin e tij nga Konventa e Stambollit, marrëveshje ndërkombëtare që e ka për synim mbrojtjen e të drejtave të grave, njoftoi të shtunën gazeta zyrtare e këtij shteti, pavarësisht thirrjeve për t’u mos u marrë ky vendim.

Konventa e Këshillit të Evropës, e nënshkruar pikërisht në Turqi, në Stamboll, i parasheh parandalimin, ndjekjen penale dhe eliminimin e dhunës në familje si dhe promovimin e barazisë. Turqia, që u bë pjesë e kësaj konvente në vitin 2011, shënoi rritje të numrit të vrasjeve të grave vitin e kaluar.

Asnjë arsye nuk u përmend për këtë tërheqje të Turqisë, por zyrtarët e partisë në pushtet të Erdoganit, AK Parti, vitin e kaluar kanë thënë se qeveria është duke e shqyrtuar tërheqjen për shkak të mosmarrëveshjes rreth asaj se si të luftohet dhuna ndaj grave, shkruan The Guardian.

“Garanci për të drejtat e grave janë normat e tanishme në aktet tona nënligjore, kryesisht kushtetuta jonë. Sistemi ynë i drejtësisë është dinamik dhe mjaftueshëm i fuqishëm për të zbatuar norma të reja siç e do nevoja”, tha ministrja për Familje, Punë dhe Politika Sociale, Zehra Zumrut, pa dhënë ndonjë arsye për tërheqjen e Turqisë nga Konventa e Stambollit.

Shumë konservatorë në Turqi e shohin Konventën e Stambollit si rrezik për strukturën familjare dhe nxitje të dhunës. Ata gjithashtu e kundërshtojnë parimin e barazisë gjinore dhe e shohin këtë si element që e promovon homoseksualizmin për shkak të parimit kundër diskriminimit në bazë të orientimit seksual.

Kritikët thanë se tërheqja e Turqisë nga ky pakt e vendos shtetin edhe një hap më larg vlerave të Bashkimit Evropian, ku synon të anëtarësohet dhe e ka statusin e vendit kandidat.

(Kosova Sot Online )