ShBA-ja dënon dy hakerë rus dhe maqedonas për vjedhjen e 568 milionë dollarëve

  • G.G /
  • 20 March 2021 - 10:09
ShBA-ja dënon dy hakerë rus dhe maqedonas për vjedhjen e 568 milionë dollarëve

Shtetet e Bashkuara kanë dënuar me burgim një haker nga Rusia dhe një tjetër nga Maqedonia Veriore për rolin e tyre në operacionet e krimit kibernetik, me anë të të cilave u vodhën 568 milionë dollarë në pjesë të ndryshme të botës, njoftoi Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së.

Sergei Medvedev, 33 vjeç nga Rusia, dhe Marko Leopard, 31 vjeç nga Maqedonia Veriore, u dënuan me dhjetë dhe pesë vjet burgim. Ata janë deklaruar fajtor për një pikë të aktakuzës, shkruan Free Europe.

Medvedev është bashkëthemelues dhe administrator i ndërmarrjes “Infraud”, e cila kryente akte kriminale të vjedhjes së identitetit dhe mashtrimit financiar, thuhet në njoftimin e Departamentit të Drejtësisë. Ai u arrestua në Tajlandë në shkurt të vitit 2018.

Në anën tjetër, hakeri maqedonas punonte si “ueb-host” për anëtarët e kësaj ndërmarrjeje, duke ndihmuar në shitjen e produkteve dhe shërbimeve ilegale.

Tregu i internetit që u organizua nga këta dy të dënuar e lehtësoi shitjen e dokumenteve të falsifikuara, llogarive të vjedhura bankare dhe të dhënave të llogarive të kredisë si dhe të dhënave personale të vjedhura për gati shtatë vjet.

Pjesë e tregut ilegal në internet, të quajtur “Në mashtrim ne besojmë”, ishin deri në 10 mijë anëtarë, duke e bërë këtë një ndër rastet më të mëdha të ndjekura penalisht për krime kibernetike nga Departamenti i Drejtësisë.

(Kosova Sot Online)