Erdogani s’rehatohet me guvernatorët e Bankës Qendrore, shkarkon të emëruarin në nëntorr

  • G.G /
  • 20 March 2021 - 10:59
Erdogani s’rehatohet me guvernatorët e Bankës Qendrore, shkarkon të emëruarin në nëntorr

Vetëm dy ditë pas rritjes më të madhe sesa pritej të shkallës së interesit, presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, e shkarkoi guvernatorin e tretë të Bankës Qendrore për më pak se dy vjet, duke e zëvendësuar atë me një mbrojtës të shkallës më të ulët të interesit.

Erdogani e shkarkoi guvernatorin Naci Agbal, i cili u caktua në këtë pozitë në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa në vend të tij e emëroi Sahap Kavcioglun, sipas një dekreti të publikuar në orët e para të së shtunës në gazetën zyrtare.

Shkarkimi i guvernatorit që në punë qëndroi vetëm pak muaj erdhi pas rritjes së shkallës së interesit dyfish më shumë sesa ishte parashikuar në një sondazh të revistës Bloomberg.

Agbal ishte emëruar në postin e lartë pas disa javëve të rënies së vlerës së lirës turke. Erdogani, i cili e përkrah teorinë që shkalla e lartë e interesit shkakton inflacion, për një kohë të gjatë e ka kritikuar Bankën Qendrore, kur mendonte se ajo po cakton shkallë shumë të larta të interesit.

I emëruari i ri, Kavcioglu, është profesor i bankave në Universitetin e Marmarasë në Stamboll dhe kolumnist i gazetës proqeveritare, “Yeni Safak”. Kjo gazetë e kritikoi të premten rritjen e shkallës së interesit, duke shkruar se vendimi i Bankës Qendrore “i bën veshët të shurdhër” ndaj 83 milionë banorëve të Turqisë dhe se do ta dëmtojë rritjen ekonomike.

(Kosova Sot Online)