Preket nga Covid-19 kryeministri i Pakistanit, Imran Khan

  • G.G /
  • 20 March 2021 - 12:40
Preket nga Covid-19 kryeministri i Pakistanit, Imran Khan

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, ka dalë pozitiv në testin për Covid-19, njoftoi ministri pakistanez i Shëndetësisë të shtunën, vetëm dy ditë pasi shefi i qeverisë u vaksinua.

Ministri Faisal Sultan përmes një postimi në rrjetet sociale tha se kryeministri është vetizoluar në shtëpi, pa dhënë hollësi të tjera rreth asaj se a do të izolohen edhe personat tjerë që kanë qenë në kontakt me të.

Kryeministri 68-vjeçar kohëve të fundit ka zhvilluar takime të shpeshta me njerëz, përfshirë pjesëmarrjen në një konferencë të sigurisë të mbajtur në kryqytetin Islamabad, ku kishte numër të madh të pjesëmarrësve.

Ai foli në këtë konferencë pa përdorur maskë dhe mori pjesë në një tubim tjetër për të inauguruar një projekt për personat e varfër të premten. Khan e mori vaksinën kundër Covid-19 të enjten, shkruan Reuters.

Ndryshe, shteti i Azisë Jugore me rreth 220 milionë banorë ditëve të fundit po përballet me rritje të konsiderueshme të numrit të rasteve me Covid-19.

Në 24 orët e fundit në Pakistan u regjistruan mbi 3.800 raste të reja, që është shifra më e lartë ditore që nga pjesa e parë e korrikut të vitit të kaluar.

(Kosova Sot Online)