Grindja mes BE dhe Britanisë për vaksinat/ Johnson pritet të telefonojë liderët e bllokut

  • E.K /
  • 22 March 2021 - 15:11
 Grindja mes BE dhe Britanisë për vaksinat/ Johnson pritet të telefonojë liderët e bllokut

Tensionet mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe nuk po zbuten. Boris Johnson pritet të bisedojë me homologët e tij të BE-së këtë javë, ndërsa përplasjet për furnizimin me vaksina anti-Covid vijojnë ende.

Liderët e bllokut do të mbajnë një takim virtual të enjten për të diskutuar vendosjen e ndalimit të eksportimit të dozave të Oksford-AstraZeneca për në Britani.

Por kryeministri Johnson kërkon që ta parandalojë një gjë të tillë duke zhvilluar biseda telefonike me secilin lider të 27 vendeve anëtare.

Komisioni Europian ka paralajmëruar se BE mund të bllokojë dërgimin e vaksinave të prodhuara në kontinent që të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Grindja mes palëve nisi nga akuzat e Brukselit ndaj Londrës se po mban dozat për vete dhe nuk po respekton kontratat me dërgesat.

Përballë paralajmërimit për ndalimin e eksportimit, qeveria britanike i bëri thirrje BE-së që të respektojë përkushtimet e saj dhe të mos zbatojë praktika “nacionalizmi dhe proteksionizmi” lidhur me vaksinat.

Brukseli ka shtuar presionin ndaj Londrës për të marrë më shumë doza, të cilat do të ndihmojnë në përshpejtimin e programit tepër të ngadaltë të vaksinimit të europianëve. Imunizimi përmes vaksinave shikohet si mundësia më e mirë për të rikthyer jetën normale.

(Kosova Sot Online)