Oliver Varhelyi uron Albin Kurtin: Dialogu me Beogradin mbetet çështje kyçe për Kosovën

  • E.K /
  • 23 March 2021 - 10:47
Oliver Varhelyi uron Albin Kurtin: Dialogu me Beogradin mbetet çështje kyçe për Kosovën

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka uruar formimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke rikujtuar se dialogu me Beogradin dhe normalizimi i raporteve është çështje kyçe.

“Pres që të punoj së bashku me ju për të çuar përpara reformat në rrugën evropiane dhe vazhdimin e luftës kundër COVID-19”, ka shkruar në rrjetin social Twitter, Varhelyi.

BE-ja pret që qeveria e re e Kosovës të vazhdojë procesin e reformave, sidomos në sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit. Po ashtu pret që të vazhdohet edhe përpjekja për të ngadalësuar përhapjen e virusit COVID-19.

Në këtë drejtim në BE disa herë kanë thënë se janë të gatshëm të ndihmojnë Kosovën, por kjo ndihmë, deri tash, nuk ka përfshirë edhe dhënien e një sasie të dozave të vaksinave, siç kishte premtuar BE-ja.

Në selinë e BE-së në Bruksel thonë se “BE-ja vazhdon të jetë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Kosovë” dhe përmendin ndihmën materiale dhe financiare që kanë dhënë deri më tash për përballje me pandeminë.

Sa i takon dialogut me Serbinë, në BE presin që ai të vazhdojë sa më parë, tash pasi është formuar Qeveria e re në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të hënën (22 mars) Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur qeverinë e re të udhëhequr nga kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti. Pro përbërjes së kabinetit të ri qeveritar votuan 67 deputetë ndërsa 30 ishin kundër.

Gjatë prezantimit të ekspozesë së tij para deputetëve, Kurti tha se “rruga drejt integrimit në BE mund të jetë sfiduese por ajo nuk ka alternativë për Kosovën”.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit u mbajtën pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 21 dhjetor, 2020, sipas të cilit, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr në atë kohë nga Avdullah Hoti, ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, pasi për të ka votuar Etem Arifi.

Në kohën kur ka votuar, Arifi ka pasur një dënim të formës së prerë, prej një viti e tre muajsh, për veprën penale: mashtrim me subvencione.

(Kosova Sot Online)