Gjykata e Apelit lë në paraburgim dy persona për keqpërdorim të votave

  • E.K /
  • 23 March 2021 - 10:52
Gjykata e Apelit lë në paraburgim dy persona për keqpërdorim të votave

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej 30 ditësh për dy komisionerët e QNR-së A.K dhe S.M për “Falsifikimin e rezultateve të votimit”.

Apeli ka hedhur poshtë ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Të njëjtit janë arrestuar pas publikimit të një video-incizimi nga Insajderi e ku dëgjohen duke bashkëpunuar për të shtuar vota në favor të një kandidateje për deputete.

Njoftimi i plotë:

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurve A.K dhe S.M. Kështu, Apeli i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 11.03.2021.

A.K. dhe S.M. po dyshohen nga ana e prokurorisë se kanë kryer veprat penale: “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK); dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga nenin 212 par.4 lidhur me nenin 31 të këtij kodi.

Gjykata e Apelit vlerësoi se ka bazë ligjore për caktimin e masës së lartëcekur ndaj të pandehurve, meqenëse ekziston dyshimi i bazuar ata kanë kryer veprat penale, për të cilat po dyshohen, e po ashtu ekzistojnë rrethana të posaçme që e bëjnë të besueshme friken se me gjetjen e tyre në liri, mund të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale, të ndikojnë në prova ose dëshmitarë apo edhe ta përsërisin veprën penale.

(Kosova Sot Online)