Turqia arreston 203 ushtarë, dyshohen për lidhje me Gylenin

  • G.G /
  • 23 March 2021 - 12:35
Turqia arreston 203 ushtarë, dyshohen për lidhje me Gylenin

Forcat turke të sigurisë të martën arrestuan në mbarë vendin 203 ushtarë në disa operacione. Ata dyshohen se kanë lidhje me organizatën e klerikut Fetullah Gylen, të cilin qeveria turke e akuzon për organizimin e puçit të dështuar të vitit 2016.

Operacionet e arrestimit u zhvilluan në 53 provinca të vendit si dhe në pjesën turke të Qipros. Zyra e Kryeprokurorit në Izmir lëshoi fletarrestime për 150 të dyshuar, nga të cilët 123 janë ushtarë në detyrë.

Sipas kësaj zyre, në mesin e personave të kërkuar ka lejtnantë, majorë, kolonelë dhe rreshterë. Ata akuzohet për kontakte me imamët e fshehtë të organizatës së Gylenit, shkruan Anadolu.

Rreth 40 të dyshuar janë pjesë e forcave tokësore, rreth 100 pjesë e forcave ajrore, gjashtë nga forcat detare, katër nga xhandarmëria dhe 38 të diplomuar në shkolla ushtarake.

Në një operacion tjetër në kryeqytetin Ankara, fletarrestime u lëshuan për 19 të dyshuar. Zyra e Kryeprokurorit, këta persona akuzohen për të njëjtën vepër si ata që janë arrestuar nga autoritetet në Izmir.

Në trazirat e dhunshme që u shkaktuan gjatë puçit të dështuar në korrik të vitit 2016, mbetën të vrarë 251 persona, ndërsa 2.734 u lënduan.

(Kosova Sot Online)