Fotografia e rrallë e Musk dhe Bezos 17 vite më parë, çfarë fshihet pas takimit të dy njerëzve më të pasur

  • G.G /
  • 23 March 2021 - 13:02
Fotografia e rrallë e Musk dhe Bezos 17 vite më parë, çfarë fshihet pas takimit të dy njerëzve më të pasur

Një fotografi e rrallë e Elon Musk dhe Jeff Bezos, e bërë 17 vite më parë, është bërë virale në rrjetet sociale.

Fotoja e dy njerëzve më të pasur në botë u shpërnda nga një gazetar i “The Hustle” me emrin Trung Phan dhe tregon Musk dhe Bezos të buzëqeshur dhe të ulur në një restorant.

Sipas tij, shkrepja është bërë në vitin 2004, kur Musk dhe Bezos flisnin me pasion për hapësirën dhe planet e tyre sapo kishin nisur të marrin jetë.

“Elon Musk dhe Jeff Bezos u takuan për të ngrënë një drekë dhe për të diskutuar për hapësirën. Ishte një nga ndërveprimet e tyre të pakta fizikisht. Biseda që patën tregon në mënyrë të përsosur qasjen e ndryshme që kanë ndërmarrë për eksplorimin e hapësirës”, shkroi Phan.

Elon Musk pranoi vërtetësinë e fotografisë dhe u përgjigj duke thënë, “Wow, vështirë të besohet se kjo ka ndodhur 17 vite më parë”, ndërsa Bezos nuk ka reaguar ende.

Takimi i vitit 2004 besohet gjerësisht se është fillimi i një rivaliteti të gjatë midis manjatëve dhe kompanive të tyre hapësinore, SpaceX dhe Blue Origin.

“Unë në fakt bëra më të mirën time për të dhënë këshilla të mira, të cilat ai i injoroi kryesisht,” tha Musk.

Bezos ka bërë vazhdimisht kritika lidhur me qëllimet e Musk për të dërguar njerëz në Mars, ndërsa Musk e ka quajtur Bezos disa herë kopja.

(Kosova Sot Online)