Zyrtari i lartë saudit kërcënon me vdekje hetuesen e OKB-së për rastin e Khashoggit

  • E.K /
  • 23 March 2021 - 15:42
 Zyrtari i lartë saudit kërcënon me vdekje hetuesen e OKB-së për rastin e Khashoggit

Një zyrtar i lartë i Arabisë Saudite kë lëshuar disa fjalë që janë marrë si kërcënim me vdekje kundër hetueses së pavarur të Kombeve të Bashkuara, Agnes Callamard, pas hetimeve që ajo zhvilloi rreth vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi.

Në një intervistë për gazetën britanike, “The Guardian”, raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara për vrasje jashtëgjyqësore tha se një koleg në OKB e kishte alarmuar në janar të vitit të kaluar se një zyrtar i lartë saudit dy herë ka kërcënuar në një takim me zyrtarë tjerë të lartë të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë se “do të përkujdeset” për hetuesen Callamard, nëse ajo nuk vihet nën kontroll nga OKB-ja.

E pyetur se si u kuptua ky koment nga kolegët e saj me bazë në Gjenevë, Callamard tha: “Kërcënim me vdekje. Kështu u kuptua”, transmeton Gazeta Express.

Callamard, shtetase franceze dhe eksperte e të drejtave të njeriut që këtë muaj do ta marrë postin e ri të sekretares së përgjithshme të organizatës “Amnesty International”, ishte zyrtarja e parë që publikisht zhvilloi hetime dhe publikoi një raport për vrasjen e gazetarit Khashoggi më 2018 në konsullatën e Arabisë Saudite në Turqi.

Sipas raportit me 100 faqe të hetueses Callamard, i publikuar në qershor të vitit 2019, ka dëshmi të besueshme se princi saudit, Mohammed bin Salman, dhe zyrtarë tjerë të lartë sauditë, janë përgjegjës për vrasjen e gazetarit, ndërsa rasti u cilësua si krim ndërkombëtar.

Callamard tha se kërcënimi ndaj saj u bë në një takim të nivelit të lartë mes zyrtarëve sauditë dhe zyrtarëve të OKB-së në Gjenevë. Sipas saj, gjatë këtij takimi, zyrtarët sauditë e kritikuan punën e saj rreth hetimeve për vrasjen e Khashoggit. Ata madje pretenduan pa fakte se hetuesja ka marrë të holla nga Katari. Kjo akuzë përdoret shpesh nga zyrtarët sauditë kundër kritikëve të qeverisë së tyre.

Francezja më pas thotë se një nga zyrtarët e lartë që ishte në takim pretendohet të ketë thënë se ka marrë telefonata nga disa persona që ishin të përgatitur që “të kujdesen për të”.

Kur zyrtarët e OKB-së ishin shprehur të alarmuar pas kësaj deklarate, zyrtarët tjerë sauditë ishin mundur që t’i sigurojnë ata se komenti i kolegut të tyre nuk duhet marrë seriozisht.

(Kosova Sot Online)