Qëndrimi i LDK-së për çështjen e presidentit, Vjosa Osmani takohet sot me Lumir Abdixhikun

  • E.K /
  • 24 March 2021 - 08:00
 Qëndrimi i LDK-së për çështjen e presidentit, Vjosa Osmani takohet sot me Lumir Abdixhikun

Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku do të takohet sot me kandidaten për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani.

Media ka raportuar mbrëmë se takimi do të ndodhë në orën 14:00.

LDK-ja, që nuk e ka votuar Qeverinë e Albin Kurtit e as Glauk Konjufcën si kryeparlamentar, ka premtuar qëndrim konstruktiv për çështjen e presidentit.

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë takuar në takime të ndara krerët e subjekteve politike, derisa AAK-ja e PDK-ja tashmë kanë deklaruar se nuk do ta përkrahin kryetaren e Listës “GUXO” si kandidate për presidente.

Dyshja që i fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit po del të ketë telashe edhe me Listën Serbe, pasi ky subjekt mori vetëm një ministri.

Lista Serbe është ankuar dhe ka thënë se do të drejtohet në Gjykatën Kushtetuese e tashmë është diskutabile nëse të njëjtët do të pranonin të qëndronin në sallë apo ta votonin Osmanin për karrigen më të rëndësishme të shtetit.

Se a do të pranonte LDK-ja që të votonte për Osmanin ka treguar edhe nënkryetari i parë i LDK-së, Lutfi Haziri.

Në T7, ai ka thënë se bisedat për këtë temë do t’i qartësojnë me kandidaten për presidente, teksa shtoi se po kërkohet votë vetëm për pjesëmarrje në seancë.

“Nuk po kërkohet votë për president. Duhet të merret vetëm pjesë në votim. Diskursi politik është që po kërkohet pjesëmarrje e 80 deputetëve”, ka deklaruar Haziri.

Vjosa Osmani e ka ushtruar detyrën e presidentit të Kosovës për disa muaj pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.

Në marrëveshjen LVV-Lista “GUXO”, Osmani ishte bërë e ditur se do të marrë pozitën e presidentit të Kosovës.

Osmani, që ka dalë më e votuara nga zgjedhjet e 14 shkurtit, si kundërkandidat për pozitën e presidentit e kishte Ramush Haradinajn. Megjithatë, duket se i njëjti është tërhequr nga kjo garë.

Ajo mund të emërohet presidente vetëm nëse i siguron 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.

“Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës”,, saktëson Kushtetuta e Kosovës.

Vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se asnjëri kandidat nuk i arrin votat e nevojshme, derisa zgjedhjet, sipas Kushtetutës, në raste të tilla duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

(Kosova Sot Online)