Vladimir Putini vaksinohet për Covid-19, s’dihet cilën vaksinë e ka marrë

  • E.K /
  • 24 March 2021 - 10:07
Vladimir Putini vaksinohet për Covid-19, s’dihet cilën vaksinë e ka marrë

Agjencia e lajmeve, RIA, duke e cituar Kremlinin, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, është vaksinuar të martën. Autoritetet ruse po mundohen ta bindin një pjesë ngurruese të popullsisë që të vaksinohet.

Kremlini më herët të martën tha se ka vendosur qëllimisht që të mos e zbulojë emrin e vaksinës ruse që do ta marrë Putini, sepse të tri vaksinat e miratuara janë të sigurta, shkruan Free Europe.

Presidenti rus është kritikuar që është vonuar për t’u vaksinuar në një shtet ku numri i njerëzve që ngurrojnë ta marrin vaksinën është i lartë.

Deri më tani, rreth 4.3 milionë banorë të Rusisë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës, që paraqet më pak se 5 për qind të popullsisë prej 146 milionë banorëve.

Rusia është në vendin e katërt në botë për numrin më të madh të të infektuarve, ndërsa në vendin e shtatë me shifrën më të lartë të viktimave të sëmundjes Covid-19.

Në gusht të vitit të kaluar, Rusia u bë shteti i parë në botë që miratoi një vaksinë kundër Covid-19, duke i nxitur shkencëtarët përreth botës që t’i vënë në pikëpyetje sigurinë dhe efikasitetin e saj për shkak të miratimit para publikimit të rezultateve të fazës së tretë të testimit.

(Kosova Sot Online)