Rezoluta e Joe Biden dhe McCain në mbështetje të Clintonit për të shfrytëzuar gjitha kapacitetet ushtarake kundër Serbisë

  • E.K /
  • 24 March 2021 - 11:08
 Rezoluta e Joe Biden dhe McCain në mbështetje të Clintonit për të shfrytëzuar gjitha kapacitetet ushtarake kundër Serbisë

Sot mbushen 22 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë së Sllobodan Millosheviqit. Më 24 mars 1999 Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me NATO-n kishin vendosur ta bombardonin Serbinë, për t’ia rikthyer Kosovës dhe kosovarëve lirinë dhe paqen.

E në mes të fushatës së bombardimeve, Clintonit i ishte dhënë mbështetje e madhe edhe nga Senati Amerikan. Dy senatorët, miq të mëdhenj të Kosovës, John McCain dhe Joe Biden, kishin paraqitur Rezolutën e Përbashkët në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 20 Prill 1999, me anë të së cilës autorizonin Presidentin e atëhershëm Bill Clinton për të përdorur gjithë forcën e nevojshme ushtarake.

Këtë dokument e ka publikuar zyrtari i LDK’së, Faton Bislimi, i cili njihet për raporte të shkëlqyera me amerikanët.

Clinton më 24 mars 1999 kishte njoftuar popullin amerikan se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte deklaruar Clinton.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i Millosheviq dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë tërheqjen nga Kosova.

https://www.facebook.com/FatonBislimi43/posts/319760416181328

(Kosova Sot Online)