Haradinaj i reagon Vuçiqit: Simbol i tokës tonë është populli që jeton këtu

  • G.G /
  • 24 March 2021 - 13:12
Haradinaj i reagon Vuçiqit: Simbol i tokës tonë është populli që jeton këtu

Me rastin e 23 vjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Gllogjan.

Haradinaj tha se përballja me Serbinë ishte zgjidhja e vetme.

“Nuk ka ndryshuar asgjë, as sot, nuk do të ndryshojë as në mot dhe asnjëherë. Sepse më 24 mars të vitit 1998 nuk kishim zgjidhje tjetër veç të përballemi me Serbinë. Nuk ishte çështje e dëshirës, por ishte e pashmangshme ajo se çka ndodhi më 24 mars 1998. Kjo ngjarje nuk ishte e para. Ne e kemi parë para kësaj një përballje heroike të familjes legjendare të Adem Jasharit deri në flijim. Ne ishim të vetëdijshëm se na pret një fat i vështirë që mund të krahasohet me jetë a vdekje”.

I pari i AAK-së kujtoi edhe tre dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj të cilët kanë rënë dëshmorë më 24 mars 1998.

“Ajo ditë ishte një ditë jo e lehtë e cila u përmbyll me një epilog. Ai epilog ishte në këtë vend ku ne jemi sot”.

Haradinaj më tej foli edhe për ndërhyrjen e NATO-s ku tha që ajo ditë ishte mahnitëse pas një viti luftë.

Haradinaj nga Gllogjani e pati një selam për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ditë më parë publikoi hartën e Kosovës të mbuluar me flamurin serb.

“Ndërsa atyre që bëjnë harta me simbole të tyre, ju themi që simbol i tokës tonë është populli që jeton këtu”.

(Kosova Sot Online)