“Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, kryetari i Kllokotit mbetet në paraburgim

  • E.K /
  • 24 March 2021 - 14:59
 “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, kryetari i Kllokotit mbetet në paraburgim

Gjykata e Apelit, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e avokatit mbrojtës, kundër caktimit të masës së paraburgimit prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit Bozhidar Dejanoviq i cili është edhe kryetar i Komunës së Kllokotit.

Në këtë mënyrë, kjo gjykatë e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 13.03.2021, sipas të cilit i pandehuri duhet të qëndroi në paraburgim deri më 12.04.2021.

Bozhidar Dejanoviq që është kryetar i Komunës së Kllokotit, po dyshohet nga ana e Prokurorisë Speciale,  se ka kryer veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 

Gjykata e Apelit,  vlerësoi se ka bazë ligjore për caktimin e masës së lartëcekur, meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se ai e ka kryer veprat penale, për të cilën po dyshohet, e po ashtu ekzistojnë rrethana të posaçme që e bëjnë të besueshme friken se me gjetjen në liri, ai  mund të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale apo të ndikojnë në prova ose dëshmitarë. Gjykata ka konstatuar se aplikimi i ndonjë mase tjetër më të butë, në këtë fazë nuk është i përshtatshëm. 

(Kosova Sot Online)