Konfirmohet nga Ministria e Drejtësisë së Belgjikës: Pjetër Shala do të dërgohet në Hagë

  • A.P /
  • 24 March 2021 - 21:20
Konfirmohet nga Ministria e Drejtësisë së Belgjikës: Pjetër Shala do të dërgohet në Hagë

Më 16 mars të këtij viti, Pjetër Shala, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është arrestuar nga autoritetet e Belgjikës me kërkesën e Gjykatës Speciale. Kjo e fundit, ka njoftuar se Shalës, që gjatë kohës së luftës njihej me nofkën “Ujku”, i ka ngritur aktakuzë për krime lufte.

Por ndonëse kanë kaluar më shumë se një javë që nga arrestimi i tij, Pjetër Shala po vazhdon të mbahet në Belgjikë, ku edhe jetonte para arrestimit, në pritje të ekstradimit për në Hagë.

Megjithëse ende nuk dihet se kur Shala do të ekstradohet për t’u përballur me gjykimin në Speciale, Ministria e Drejtësisë së Belgjikës ka konfirmuar të mërkurën se procedura për dorëzimin e tij në duart e autoriteteve të Hagës ka nisur dhe janë duke vazhduar.

Në përgjigjen e tyre, thuhet se arrestimi dhe transferimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së bazohet në ligjin belg për bashkëpunimin me Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

“Arrestimi dhe transferimi i Pjetër Shalës bazohet në Ligjin Belg të vitit 2004 mbi bashkëpunimin me Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe Tribunalet Penale Ndërkombëtare dhe jo në legjislacionin e zakonshëm për arrest dhe ekstradim”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë belge të Drejtësisë.

(Kosova Sot Online)