Trusti dhe lirimi nga pagesa e rentës minerare më të zbatueshmet të Ligjit për Rimëkëmbje

  • G.G /
  • 26 March 2021 - 12:36
Trusti dhe lirimi nga pagesa e rentës minerare më të zbatueshmet të Ligjit për Rimëkëmbje

Tërheqja e 10 përqindëshit nga Trusti ka gjetur më së shumit zbatim, në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Krahas kësaj, efikasitet të duhur ka pasur edhe lirimi nga pagesa e rentës minerare. Ndërkohë ngecje janë parë tek zbatimi i Fondit Kosovar për Garantimin të kredive dhe dispozitat lidhur me taksën e energjisë së ripërtrishme.

Përmes një konference për medie, Dardan Abazi nga INDEP shpalosi të gjeturat e monitorimit të zbatimit të Ligjit të Rimëkëmbjes.

Ai tha se kanë gjetur se ka mungesë të theksuar të komunikimit ndër-institucional për zbatimin e pakos së rimëkëmbjes.

“Çdo hap më tutje nga ana e institucioneve në drejtim të prezantimit të masave të reja të bëhet në bashkëpunim me institucionet tjera relevante, sidomos me agjenci të pavarura dhe rregullatorët që do të jenë bartës të zbatimit të këtyre masave. Ne kemi parë se kur është vënë dispozita sa i përket lirimit nga pagesa e rentës minerare, nuk është vënë një dispozitë shtesë në ligj që do të thoshte se kjo pagesë duhet të bëhet vetëm në kuadër të eksplantimit që ndodhin, në kuadër të planit vjetor që kompanitë e dorëzojnë në Komisionin e Pavarur të Minierave dhe Mineraleve. Pikërisht nga ky komision janë ankuar se për shkak të mos konsultimit atyre i është dashur të marrin një vendim shtesë për t’i shpjeguar kompanive që nuk kanë të drejtë të eksplodojnë pa fund në gjashtë mujorin e parë për të rrëzuar kodra të tëra për të marrë minerale, por duhet bërë këtë në kuadër të planit vjetor. Po të ndodhin konsultime nuk do të ndodhin probleme të tilla. Kemi pasur edhe autoritete të tjera, si Fondi për Garancimin e Kredive që kanë thënë se janë informuar përmes mediave sa i takojnë dispozitat e ligjit. Ne do të donim të shohim më tepër bashkëpunim institucional”, tha ai.

Ndërsa, Kaltrinë Rexha bëri të ditur se mbi 340 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e tërheqjes së 10 përqindshit nga Trusti. Ndonëse, sipas saj janë bërë gjitha përgatitjet teknike, Fondi për Garantimit të Kredive një pjesë të marrëveshjes me bankat komerciale ende nuk e ka finalizuar.

“Disa masa që përfshihen nga ligji për rimëkëmbje ekonomike kanë gjetur zbatim të plotë në këtë 4 majorësh, ka disa masa të tjera që ende nuk kanë filluar zbatimin”, tha ajo.

Krahas këtyre, INDEP kërkoi që të ketë një kornizë të qartë institucionale për ta parë zbatimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

(Kosova Sot Online)