MPMS-ja i reagon punëtores që bëri kallëzim penal ndaj 7 zyrtarëve të ministrisë

  • E.K /
  • 26 March 2021 - 15:36
 MPMS-ja i reagon punëtores që bëri kallëzim penal ndaj 7 zyrtarëve të ministrisë

Një punëtore dje në adresë të mediave ka dërguar informacionet se ka bërë një kallëzim penal ndaj 7 zyrtarëve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për keqpërdorim të pozitës, ndaj kësaj zyrtareje ka reaguar sot kjo ministri.

Përmes një komunikate për media, MPMS-ja thotë se do të ngrisin padi ndaj punëtores N. Z për shpifje, cenim të integritetit dhe shkelje të privatësisë.

Punëtorja thotë se kolegët e saj e kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtarë, me ç’rast i kanë shkelur të drejtat e saja themelore të punës.

Por, MPMS-ja thotë se mllefi i shprehur nga autorja e shkrimit lidhet me pakënaqësinë e saj që gjatë tri viteve të fundit, ishte ‘detyruar’ të merrte rrogë pa qenë fare e pranishme në vendin e punës, sepse komisioni disiplinor, i ngritur disa herë radhazi ndaj saj për mbjellje frike ndaj kolegeve, fyerje, denigrim, prishje të qetësisë në ambient pune, shantazhim, kërcënim fizik, etj., ishte treguar i mëshirshëm duke mos e larguar nga puna, siç ishte konstatuar nga ky komision sipas fakteve të mbledhura ndaj saj.

Reagimi i plotë i MPMS-së:

Gjatë orëve të pasdites së djeshme, në disa mediume elektronike është publikuar një shkrim, titulli dhe përmbajtja e të cilit kishte synim përbaltjen dhe denigrimin e shtatë zyrtarëve të niveleve të ndryshme të ish-Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ky shkrim është hartuar dhe shpërndarë në adresat e shumë mediumeve nga Nj.Z(punonjëse e kësaj ministrie), përmes portalit ‘Kosinfo.net’ portal ky që administrohet nga bashkëshorti i saj.

Ky reagim po bëhet në emër të Zyrës për Komunikim me Publikun të ish-Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për shkak të keqinformimit të publikut rreth, gjoja, ‘keqpërdorimit’ të detyrës zyrtare nga shtatë zyrtarë të përmendur me emër e mbiemër dhe fotografi në shkrimin tendencioz, i cili, fatkeqësisht është publikuar nga shumë mediume tjera pa përfillur etikën gazetareske (përjashto disa mediume që kanë fshehur identitetin e zyrtarëve të apostrofuar përmes inicialeve).

Me qëllim të informimit të drejtë të publikut, i cili, duke mos e njohur figurën shantazhuese të Njomëza Ibishit-Zogajt, dhe duke mos qenë i njohur me ecurinë e zhvillimeve brenda institucionit, përmbajtja e shkrimit të djeshëm, në emër të zyrtarëve të MPMS-së të përmendur dhe të pasqyruar vizuelisht në mënyrë shumë joetike dhe të padrejtë, njoftojmë publikun se pohimet e shkruara nga autorja e shkrimit nuk përkojnë aspak me të vërtetën.

Meqë brenda shkrimit përmendet ‘keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar’ nga kolegët e saj, e ndjejmë të nevojshme të ofrojmë sqarim se një ‘shkelje’ këtillë e pretenduar nuk mund të ndodhë nga kolegët e të njëjtit nivel.

Mllefi i shprehur nga autorja e shkrimit lidhet me pakënaqësinë e saj që gjatë tri viteve të fundit, ishte ‘detyruar’ të merrte rrogë pa qenë fare e pranishme në vendin e punës, sepse komisioni disiplinor, i ngritur disa herë radhazi ndaj saj për mbjellje frike ndaj kolegeve, fyerje, denigrim, prishje të qetësisë në ambient pune, shantazhim, kërcënim fizik, etj., ishte treguar i mëshirshëm duke mos e larguar nga puna, siç ishte konstatuar nga ky komision sipas fakteve të mbledhura ndaj saj.

MPMS-ja dhe të apostrofuarit padrejtësisht në shkrimin e djeshëm tendencioz, do të ngrisin padi ndaj Nj.Z për shpifje, cenim të integritetit dhe shkelje të privatësisë

(Kosova Sot Online)