Gjykata Kushtetuese, pas letrës së Rama-Hajrizit ndaj Kurtit: Letër-urimet janë standard në vende demokratike

  • A.P /
  • 26 March 2021 - 18:59
Gjykata Kushtetuese, pas letrës së Rama-Hajrizit ndaj Kurtit: Letër-urimet janë standard në vende demokratike

Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të vazhdojë që të dërgojë letër-urime, në drejtim të udhëheqësve shtetërorë, sapo ata ta marrin detyrën.

Këhshtu janë përgjigjur nga ky institucion, duke thënë se dërgimi i letrave të urimit përbën standard, gjë që theksohet se do të vazhdohet edhe në të ardhmen.

“Letër-urimet e shkëmbyera me rastin e emërimeve ndërmjet bartësve institucional shtetëror janë praktikë standarde dhe e rëndomtë e çdo vendi demokratik. Dërgimi i letër-urimeve me rastin e emërimeve të zyrtarëve më të lartë shtetëror në Republikën e Kosovës: President, Kryeparlamentar, Kryeministër, Kryetar i Gjykatës Supreme, Avokat i Popullit dhe bartës të tjerë institucional, ka qenë dhe do të mbetet praktikë e Gjykatës Kushtetuese edhe në të ardhmen”, thuhet në përgjigje.

“Letër-urimet e tilla janë dërguar nga Gjykata edhe në rastin e zgjedhjes së kryeministrave pa dallim të përkatësisë partiake, pra si nga PDK, LDK, AAK dhe së fundi edhe LVV, që demanton shumë deklarime të pavërteta dhe të paqëndrueshme që janë publikuar sot në media nga subjekte dhe individë të ndryshëm”.

“Kjo pra assesi nuk duhet dhe nuk mund të perceptohet si “nënshtrim” ndaj asnjë institucioni tjetër, por ekskluzivisht dhe vetëm si shprehje e vullnetit të mirë për bashkëpunim ndër-institucional, me qëllim të promovimit dhe të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”.

Nga kjo gjykatë thonë se pavarësia vendimmarrëse dhe integriteti institucional i Gjykatës Kushtetuese, si edhe i çdo institucioni tjetër të pavarur shtetëror, janë të etabluara dhe të garantuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese këtë tashmë e ka dëshmuar edhe nëpërmjet vendimmarrjes së saj që nga themelimi, ku pikërisht si pasojë e këtyre vendimeve kanë dhënë dorëheqje dhe janë ndërruar disa prej bartësve kryesor institucionalë”.

Këtë të premte një letër e dërguar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në drejtim të Kryeministrit Albin Kurti ka ngjallur reagime, përfshirë këtu edhe partinë opozitare, LDK-në.

(Kosova Sot Online)