Lajmi i fundit: Albin Kurti merr sot vaksinën anti-Covid

  • E.K /
  • 29 March 2021 - 14:27
 Lajmi i fundit: Albin Kurti merr sot vaksinën anti-Covid

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të vaksinohet sot me vaksinën kundër COVID-19.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media, nga zyra e Kryeministrit.

Ai do të vaksinohet në orën 16:30 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

“Kryeministri Albin Kurti do të vaksinohet me vaksinën AstraZeneca – Oxford COVID-19. vendI: Salla e Sporteve “1 Tetori”, Prishtinë, koha: 16:30”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, të dielën ka ardhur kontigjenti i parë i vaksinave antiCOVID-19 nga COVAX.

Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Fillimisht do të vaksinohen punëtorët e Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare.

Nga COVAX-i, në total Kosova do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë AstraZeneca.

Autoritetet kanë miratuar një Plan të vaksinimit i cili është i ndarë në tri faza.

Në fazën e parë, sipas këtij plani do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare). Në këtë grup, numri i përgjithshëm i personave llogaritet të jetë 54.000 mijë apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.

Faza e dytë përfshihen grupmoshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ky grup përbëhet nga 306.000 persona apo 17 për qind e popullsisë.

Për fazën e parë dhe të dytë, sipas Planit për vaksinim, do të përdoren vaksinat që Kosova do të marrë nga programi COVAX.

Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.

Më herët, autoritetet kanë thënë se do të përdorin sallën “1 Tetori” në Prishtinë si qendër të vaksinimit.

(Kosova Sot Online)