Shkencëtarët paralajmërojnë mutacione që mund ta zvogëlojnë efektin e vaksinave

  • E.K /
  • 30 March 2021 - 11:25
 Shkencëtarët paralajmërojnë mutacione që mund ta zvogëlojnë efektin e vaksinave

Shkencëtarët nga pjesë të ndryshme të botës po paralajmërojnë se mutacionet e reja të koronavirusit, të cilat mund ta zvogëlojnë në masë të konsiderueshme efikasitetin e vaksinave të tanishme kundër Covid-19, mund të shfaqen brenda një viti.

Dështimi për të ofruar qasje të barabartë në vaksina është duke e vënë në pah këtë rrezik duke ia mundësuar virusit përhapjen lirshëm në mesin e disa prej popullsive më të varfra dhe më të rrezikuara të botës, thonë ekspertët.

Në një anketë me 77 shkencëtarë të 28 shteteve, të bërë nga Aleanca Popullore e Vaksinave, dy të tretat e tyre besojnë se bota ka më pak se një vit para se virusi Sars-Cov-2 të pësojë mutacion në atë mënyrë që shumica e gjeneratës së parë të vaksinave të bëhen joefektive dhe të kërkohen vaksina të modifikuara.

Shumica e shkencëtarëve apo 88 për qind e tyre thanë se shkalla e ulët e vaksinimit në shumë shtete do t’i shtojë gjasat për shfaqjen e mutacioneve që janë rezistente ndaj vaksinave, shkruan Independent.

Më pak se një në tetë shkencëtarë besuan se këto mutacione kurrë nuk do të arrijnë që vaksinat t’i bëjnë joefektive.

Sipas shkallës së tanishme të vaksinimit në nivel global, vetëm 10 për qind e popullsisë në shumicën e vendeve të varfra do të vaksinohet deri në fund të vitit.

Gati dy të tretat e shkencëtarëve që morën pjesë në anketë thanë se prodhuesit e vaksinave duhet t’i ndajnë me të tjerët teknologjinë dhe pronësinë intelektuale për ta rritur qasjen globale ndaj vaksinave për Covid-19.

(Kosova Sot Online)