Rusia menjëherë mundohet të përfitojë nga bllokimi i Suezit

  • G.G /
  • 30 March 2021 - 13:25
Rusia menjëherë mundohet të përfitojë nga bllokimi i Suezit

Ministria e Energjisë e Rusisë të hënën u mundua që ta shfrytëzonte bllokimin e Kanalit të Suezit nga anija gjigante, “Ever Given”, për përfitime të veta, duke promovuar një rrugë tjetër detare.

Kjo ministri tha se bllokimi i anijes në Kanalin e Suezit i vë në pah sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Rrugës së Detit Verior dhe të naftësjellësve dhe gazsjellësve rusë, shkruan Reuters.

“Këto rrugë janë shumë të sigurta dhe kanë pozicione konkurruese në aspektin e kostos së transportit si dhe sa i përket besueshmërisë në krahasim me rrugët alternative”, thuhet më tej në deklaratën e kësaj ministrie.

Rusia pret që transportimi i mallrave përmes Rrugës së Detit Verior të shtohet. Kjo rrugë e shkurton vijën e transportit nga Azia për rreth 4 mijë milje detare në krahasim me lundrimin nëpër Kanalin e Suezit.

Vitin e kaluar, sasia e mallit të transportuar nëpër rrugën veriore arriti në gati 33 milionë tonë, ndërsa Ministria e Energjisë pret që kjo shifër të shkojë në 80 milionë tonë në vit nga viti 2024.

Rusia ka edhe gazsjellës e naftësjellës drejt Evropës, përfshirë naftësjellësin “Druzhba” dhe gazsjellësin “Nord Stream”, ndërsa është afër përfundimit të gazsjellësit “Nord Stream 2”, që kalon nëpër Detin Baltik.

(Kosova Sot Online)