Spitalet e Berlinit pezullojnë vaksinën e AstraZeneca-s për stafin e grave nën 55 vjeç

  • E.K /
  • 30 March 2021 - 14:56
 Spitalet e Berlinit pezullojnë vaksinën e AstraZeneca-s për stafin e grave nën 55 vjeç

Grupet e spitaleve publike në rajonin e kryeqytetit gjerman, Berlin, “Charite” dhe “Vivantes”, të martën morën vendim për pezullimin e vaksinimit të stafit të gjinisë femërore nën moshën 55-vjeçare me vaksinën e kompanisë AstraZeneca për shkak të raportimeve për një çrregullim të rrallë të gjakut në tru.

Një zëdhënëse për grupin e spitaleve “Charite” tha se ky hap ishte i nevojshëm pas raporteve për mpiksje të gjakut të njohur si CSVT te gratë në Gjermani, shkruan Reuters.

“Ndonëse nuk janë shfaqur ndërlikime në spitalet e këtij grupi pas vaksinimit me vaksinën e AstraZeneca-s, Charite dëshiron të marrë masë parandaluese dhe të presë për vlerësime përfundimtare”, tha zëdhënësja.

Gazeta “Tagesspiegel”, që raportoi e para për këtë vendim, tha se rajoni i Berlinit ka njoftuar se do ta ndërpresë vaksinimin me vaksinën e AstraZeneca-s për të gjithë personat nën moshën 60-vjeçare, jo vetëm për gratë.

Rregullatori gjerman i vaksinave, Instituti “Paul Ehrlich”, tha se ka regjistruar 31 raste të mpiksjes së gjakut CSVT, nëntë prej të cilave kanë përfunduar me vdekje, pas vaksinimit me këtë vaksinë. Me përjashtim të dy rasteve, të gjitha rastet tjera ishin te gratë e moshës nga 20 deri në 63-vjeçare.

Sipas të dhënave të Institutit “Robert Koch”, Gjermania deri më tani me vaksinën e AstraZeneca-s ka vaksinuar rreth 2 milionë e 700 mijë persona.

(Kosova Sot Online)