ZPS flet rreth hetimeve për zbulimin e identitetit të “Rrufesë” që i çonte dokumentet e tyre në zyrat e OVL-së

  • A.P /
  • 30 March 2021 - 16:46
ZPS flet rreth hetimeve për zbulimin e identitetit të “Rrufesë” që i çonte dokumentet e tyre në zyrat e OVL-së

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se kanë marrë disa kërkesa lidhur me identifikimin e personit që dokumentet e tyre hetimore i çonte në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Një prokuror i Speciales, në seancën e radhës paragjyqësore ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt ka thënë se kanë nxjerrë informacion lidhur me hapat e ndërmarrë lidhur me këtë çështje.

“Kemi marrë 39 kërkesa që kanë të bëjnë me identifikimin e personit që i ka lënë dokumentet në Shoqatën e Veteranëve të UÇK-së. Kemi nxjerrë informacion lidhur me hapat e ndërmarra sa i takon zbulimit të identitetit të personit. Bëhet fjalë për intervistë që ia kemi bërë të ditur edhe mbrojtjes. Nuk e dimë se çfarë duan të nxjerrin mbrojtja nëse kanë marrë orë të tëra regjistrime nga kamerat e rrugëve e do t’i shohin të gjitha ato. Akuzat specifike kanë të bëjnë me ato që kanë bërë pas marrjes së informacionit dhe shpërndarjes”, ka thënë prokurori.

Vitin e kaluar, dy udhëheqësit e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, kishin vendosur ta quanin “Rrufeja” një person anonim që dërgonte në zyrat e tyre dokumente konfidenciale të Prokurorisë së Specializuar. Këto dokumente, Gucati e Haradinaj i publikonin në konferenca për media.

Më 26 shtator të vitit të kaluar, dy ish-krerët e OVL-së së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj u arrestuan me urdhër të Gjykatës Speciale. Ata akuzohen për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

(Kosova Sot Online)