Në ShBA vëllai i një presidenti dënohet me burgim të përjetshëm

  • E.K /
  • 31 March 2021 - 09:44
 Në ShBA vëllai i një presidenti dënohet me burgim të përjetshëm

Tony Hernandez, ish-kongresist në Honduras dhe vëlla i presidentit të tanishëm të këtij shteti, u dënua nga një gjykatës amerikan me burgim të përjetshëm për trafikim droge.

Përpos dënimit me burgim të përjetshëm, ai do të detyrohet të paguajë edhe 138.5 milionë dollarë dëmshpërblim, të cilat prokurorët thonë se i ka përfituar nga trafikimi i drogës.

“Ky është trafikim i sponsoruar nga shteti dhe kjo është saktësisht sjellja që qeveria duhet ta ketë në cak për shkak të ndikimit që ka në Honduras. Hondurasi është një ndër vendet kryesore të qarkullimit të drogës në botë dhe një nga vendet më të dhunshme në botë”, deklaroi prokurori amerikan, Matthew Laroche.

“Ai siguroi mbrojtje nga hetimet, arrestimi dhe ekstradimi duke u dhënë ryshfete masive politikanëve si vëllait të tij dhe ish-presidentit Porfirio Lobo Sosa”, shtoi prokurori.

Sipas tij, Hernandez ka marrë miliona dollarë si ryshfet, përfshirë një milion dollarë nga El Chapo Guzman, për t’i mbushur arkat e Partisë Kombëtare për zgjedhjet e vitit 2009, 2013 dhe 2017 për t’i ofruar përfitime vëllait të tij, presidentit Juan Orlando Hernandez.

Përmes një deklarate, qeveria e Hondurasit i refuzoi vlerësimet nga prokurorët amerikanë se është shtet që e ushqen trafikimin e drogës, ndërsa vetë presidenti i këtij vendi ka mohuar akuzat se partia e tij ka përfituar nga paratë e trafikimit.

Avoakti i të dënuarit, Peter Brill, tha se planifikon të paraqesë ankesë ndaj vendimit të gjykatës, shkruan Reuters.

(Kosova Sot Online)