Shefi i OBSh-së: Duhet të vazhdohet hetimi për teorinë se SARS-CoV-2 ka dalë nga laboratori

  • E.K /
  • 31 March 2021 - 10:09
 Shefi i OBSh-së: Duhet të vazhdohet hetimi për teorinë se SARS-CoV-2 ka dalë nga laboratori

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se duhet të ketë hulumtim të vazhdueshëm të teorisë se koronavirusi i ri ka dalë nga një laborator i virologjisë në qytetin Wuhan të Kinës.

Deklarata e tij erdhi pavarësisht se në raportin e organizatës thuhet se ka jashtëzakonisht pak gjasa që një teori e tillë të jetë e vërtetë. Sidoqoftë, teoria është përmendur edhe nga disa anëtarë të administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Sipas raportit që është pritur gjatë dhe që është hartuar nga ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe homologëve të tyre kinezë, koronavirusi ka gjasë të ketë kaluar te njeriu nga kafshët, shkruan The Guardian.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e kritikuan ashpër këtë raport, duke e akuzuar tërthorazi Kinën për refuzimin e qasjes në të dhëna dhe mostra të plota dhe origjinale.

Deklarata kritikuese u nënshkrua edhe nga 12 shtete tjera, përfshirë Australinë dhe Kanadanë.

Kina vazhdimisht ka mohuar se virusi ka rrjedhur nga laboratori. Shteti komunist dyshohet se në fazën e parë të pandemisë i ka fshehur të dhënat dhe rastet e infeksioneve, duke ndikuar që virusi të përhapet edhe në shtetet tjera.

(Kosova Sot Online)