Naser Rugova i përgjigjet Lumir Abdixhikut

  • E.K /
  • 31 March 2021 - 10:33
 Naser Rugova i përgjigjet Lumir Abdixhikut

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, i është përgjigjur përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhikut, i cili të martën mbrëma i bëri thirrje Rugovës që mos të merret me njerëzit e LDK-së, por të kontribuojë në parti.

Rugova tha se deputetët janë vërtet të nominuar nga parti, por ata në radhë të parë janë përfaqësues të popullit dhe duhet të respektohen si të tillë.

Po ashtu, ai mendon që duhet të marrin pjesë në votim, por nuk duhet të harrojnë që Vjosa nuk është kandidate e LDK-së, prandaj qëndrim i duhur dhe demokratik do të ishte që deputetët të veprojnë sipas bindjes dhe ndërgjegjes personale.

Rugova ka thënë se që nga viti 2014, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka respektuar mendimin ndryshe dhe debatet janë mbyllur me fjalinë “ka vendosur kryesia”. Dhe në rast se vazhdon me të njëjtin veprim do të jetë si ai para tij.

Postimi i plotë i tij:

“Përgjigje Lumirit.

Deputetët janë vërtet të nominuar nga partia, por ata në radhë të parë janë përfaqësues të popullit dhe duhet të respektohen si të tillë. Personalisht mendoj që duhet të marrim pjesë në votim, por nuk duhet të harrojmë që Vjosa nuk është kandidate e LDK-së, prandaj qëndrimi i duhur, vërtet demokratik, do të ishte: deputetët le të veprojnë sipas bindjes dhe ndërgjegjes personale. Pse gjithë ky presion vetëm mbi deputetët e LDK-së?!

Që nga vitit 2014 LDK nuk e ka respektuar mendimin ndryshe dhe debatet janë mbyllur me fjalinë “ka vendosur kryesia”, thuajse jemi parti komuniste e kryesia është komiteti qendror. Kryesia nuk mund dhe nuk duhet më të vendosë për deputetin, përndryshe edhe ti je njësoj si ai para teje.”

(Kosova Sot Online)