ShBA-ja akuzon 7-vjeçarin për dhunim seksual të shkallës së tretë

  • E.K /
  • 31 March 2021 - 11:47
ShBA-ja akuzon 7-vjeçarin për dhunim seksual të shkallës së tretë

Një djalë 7 vjeç është akuzuar nga autoritetet amerikane për dhunim seksual pas një incidenti në Ditën e Falënderimeve në Nju Jork.

Policia Shtetërore e Nju Jorkut e akuzoi fëmijën e paidentifikuar me akuzën e pazakontë më 23 mars, shkruan Daily Mail.

Djali është liruar dhe raportohet se do të gjykohet sipas ligjeve për shkelës të mitur. Autoritetet thanë se incidenti për herë të parë është raportuar më 26 nëntor të vitit të kaluar.

Autoritetet nuk kanë dhënë hollësi të tjera rreth incidentit apo për moshën e viktimës së këtij sulmi të pretenduar. Nuk është e qartë as se çfarë raporti kanë i dyshuari dhe viktima, por policia tha se rasti do të dërgohet në Gjykatën Familjare.

Një avokat që merret me mbrojtjen e rasteve ku përfshihen të miturit i kritikoi ashpër autoritetet për atë që e cilësoi si akuzë absurde kundër një 7-vjeçari dhe tha se beson që është pothuajse e pamundur se kjo akuzë mund të qëndrojë.

“Në mënyrë instinktive, nuk do të duhej që një 7-vjeçar…Nuk mendoj se as që mund të kuptoni se çfarë jeni duke bërë në moshën 7-vjeçare”, tha Anthony Martone.

“Prandaj, mendoj se është absurde që një fëmijë 7-vjeçar të akuzohet për dhunim seksual. Ata duhet të dëshmojnë se ai në të vërtetë e ka kryer fizikisht aktin, që mua më duket e pamundur”, shtoi Martone.

Sipas ligjeve të shtetit të Nju Jorkut, fëmijët mbi moshën 7-vjeçare mund të arrestohen dhe të ndiqen penalisht si shkelës të mitur.

(Kosova Sot Online)