Joe Biden me plan të madh për ShBA-në: 2 trilionë dollarë investime

  • E.K /
  • 31 March 2021 - 12:42
Joe Biden me plan të madh për ShBA-në: 2 trilionë dollarë investime

Plani i madh infrastrukturor i presidentit të ShBA-së, Joe Biden, parasheh investime të mëdha në disa fusha, përfshirë 174 miliardë dollarë vetëm për tregun e veturave elektrike dhe miliarda të tjerë për energjinë e ripërtëritshme. Me këto investime synohet edhe luftimi i ndryshimeve klimatike.

Me gjithsej 2 trilionë dollarë, plani parasheh edhe investimeve në projekte tradicionale si ndërtimi i rrugëve dhe urave. Plani është pjesë e agjendës ambicioze të presidentit amerikan për dekarbonizimin e ekonomisë së ShBA-së deri në vitin 2050 dhe adresimin e çështjes së klimës, duke e bërë vendin udhëheqës global në këtë luftë.

Në plan parashihet edhe shpenzimi i 165 miliardë dollarëve në disa projekte të hekurudhave, duke i nxitur amerikanët që të heqin dorë nga përdorimi i veturave për t’i shfrytëzuar trenat si mjet udhëtimi, shkruan Reuters.

Para se të fillojë të zbatohet, megjithatë, ky plan duhet të miratohet nga Kongresi.

Shtëpia e Bardhë tha se fondet e ndara për veturat elektrike do të rezultojnë në prodhim më të madh të pjesëve dhe baterive të tyre në ShBA dhe do të krijojnë lehtësira që amerikanët të blejnë vetura elektrike të prodhuara brenda vendit.

Në plan parashihet edhe dhurimi i granteve për ndërtimin e rrjetit kombëtar të 500 mijë qendrave për mbushjen e veturave elektrike deri në vitin 2030 dhe bëhet thirrje që së paku 20 për qind e autobusëve të shkollave të jenë me rrymë, ndërsa 20 miliardë dollarë ndahen për përmirësimin e sigurisë rrugore.

(Kosova Sot Online)