Mos hidhni maska në tokë, ja si ngatërrohen zogjtë në to

  • G.G /
  • 31 March 2021 - 13:13
Mos hidhni maska në tokë, ja si ngatërrohen zogjtë në to

Një fotografi e një zogu të ngatërruar në një maskë mbrojtëse është shpërndarë nga disa shkencëtarë, të cilët kanë paralajmëruar se masat kundër pandemisë po i vrasin zogjtë përreth botës.

Një ekip i Universitetit Leiden në Holandë tha se maskat, dorezat dhe pajisjet tjera mbrojtëse janë “bombë e kurdisur” që tashmë mund të jetë duke dhënë efekte negative në disa pjesë të botës.

Ata e hulumtuan përhapjen e këtij problemi pasi gjetën zogj dhe dhelpra të ngatërruara në maska, një maskë në barkun e një pinguini dhe madje çerdhe që zogjtë i kishin ndërtuar nga mbeturinat.

Biologët kanë bërë thirrje për hedhje më të kujdesshme të pajisjeve mbrojtëse kundër pandemisë për ta pakësuar ndikimin e tyre në jetën e gjallesave, shkruan Daily Mail.

Shkencëtarët gjetën dhelpra të ngatërruara me maska në Britani dhe zogj të ngatërruar në maska në Kanada. Ata gjithashtu panë edhe pulëbardha e gaforre të ngatërruara në pajisje mbrojtëse të njerëzve.

Ata paralajmëruan se në rrezik nga ky lloj i mbeturinave janë edhe kafshët shtëpiake, sidomos qentë. Njëri nga autorët e studimit tha se kafshët dobësohen ose ngordhin për shkak të plastikës së ngrënë.

(Kosova Sot Online)