OKB-ja përgënjeshtron Francën: 19 civilë u vranë nga sulmi ajror francez në Mali

  • E.K /
  • 31 March 2021 - 15:28
 OKB-ja përgënjeshtron Francën: 19 civilë u vranë nga sulmi ajror francez në Mali

Nga një sulm ajror i forcave franceze në janar të këtij viti u vranë 19 civilë dhe tre persona të armatosur në një dasmë në pjesën qendrore të Malit, thanë të martën hetuesit e Kombeve të Bashkuara, duke e përgënjeshtruar deklaratën zyrtare të Francës se nga sulmi janë goditur vetëm militantët islamikë.

Franca menjëherë i kundërshtoi të gjeturat e Kombeve të Bashkuara, të cilat pritet të nxisin më shumë kritika nga ish-kolonizuesja e shtetit afrikan. Franca ka mbi 5.000 trupa në Mali dhe në vendet fqinje të këtij shteti, ku i lufton grupet e lidhura me ISIS-in dhe al-Qaedan.

Divizioni për të Drejtat e Njeriut i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Mali tha se e ka vizituar fshatin Bounti, ku ndodhi sulmi më 3 janar, i ka analizuar pamjet satelitore dhe ka intervistuar mbi 400 persona, përfshirë 115 persona në intervista sy më sy, shkruan Reuters.

“Misioni është i aftë të vërtetojë se një festë dasme që bëri bashkë rreth 100 persona në vendin e sulmit, në mesin e të cilëve pesë persona të armatosur, ishte e pranishme”, thuhet në raport.

Raporti i këtij misioni tha se 19 persona, përfshirë 16 civilë dhe tre persona të armatosur, u vranë menjëherë nga sulmi ajror, ndërsa tre civilë të tjerë vdiqën gjatë dërgimit në spital.

Misioni i Kombeve të Bashkuara tha se rrëfimi i secilit dëshmitar është vërtetuar me dëshmi tjera dhe se disa dëshmitarë janë vendosur në vende tjera për të folur lirshëm.

Në raport thuhet se ekspertët e forenzikës nuk kanë gjetur shenja të motoçikletave, armëve apo municionit të djegur, që do ta sugjeronin praninë e një numri të madh të personave të armatosur.

(Kosova Sot Online)