Kur do të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit, ende nuk ka as nënshkrime

  • A.P /
  • 01 April 2021 - 20:43
Kur do të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit, ende nuk ka as nënshkrime

Ende nuk ka filluar mbledhja e nënshkrimeve për seancën e zgjedhjes së presidentit të ri.     

Pauzën e ditës së enjte, vendosën ta shfrytëzojnë duke shëtitur në park.

Me vete, morën edhe bashkëshortët dhe fëmijët.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani dukeshin të reklaskuar teksa qëndronin në Gërmi.

Por, kaq të relaksuar nuk duken të jenë për çështjen e presidentit.

Kjo pasi, edhe pse kanë mbetur vetëm edhe 4 ditë deri në afatin e fundit, kur Kryesia e Kuvendit mund të thërret seancën për zgjedhjen e presidentit të ri, ende nuk ka filluar mbledhja e nënshkrimeve.

Këtë e ka konfirmuar shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila.

Por, edhe pse nuk ka nisur mbledhja e nënshkrimeve, Kusari Lila nuk ka mohuar se seanca mund të thirret nesër.

Edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza ka thënë nuk ka as edhe një informacion në lidhje me mbledhjen e nënshkrimeve apo edhe thirrjen e seancës.

Ndërkohë, zërat se në LDK ka kundërshtime sa i përket pjesëmarrjes së kësaj partie në seancën e presidentit, i ka mohuar nënkryetari i parë i partisë, Lutfi haziri.

Ndërkohë, ditën e premte pritet të mbahet seanca e parë e Kuvendit të Kosovës, për funksionalizimin e komisioneve parlamentare.

Në të njëjtën pritet të betohen edhe deputetët e rinj, që kanë zëvendësuar ministrat në Qeverinë Kurti 2.

(Kosova Sot Online)