Edhe në Australi shënohet mpiksje e gjakut pas vaksinimit me AstraZeneca

  • G.G /
  • 02 April 2021 - 13:02
Edhe në Australi shënohet mpiksje e gjakut pas vaksinimit me AstraZeneca

Australia është duke zhvilluar hetime për të zbuluar nëse një rast i mpiksjes së gjakut i shënuar të premten ka lidhje me vaksinën e kompanisë AstraZeneca kundër koronavirusit, bëri të ditur një zyrtar shëndetësor.

Ky njoftim ngriti shqetësime në shtetin ku shumica e popullsisë pritet ta marrin pikërisht vaksinën e kësaj kompanie, shkruan The Guardian.

Një burrë 44 vjeç u pranua me mpiksje gjaku në një spital në qytetin Melbourne disa ditë pasi e mori vaksinën e AstraZeneca-s. Ai pësoi trombozë serioze dhe nivel të ulët të trombociteve, të cilat ndihmojnë për ndaljen e gjakderdhjes.

“Deri më tani, hetuesit nuk kanë konfirmuar një lidhje shkakore me vaksinën e AstraZeneca-s për Covid-19, por hetimet janë duke vazhduar”, tha zëvendësshefi për shëndetësi, Michael Kidd. Ai shtoi se më shumë të dhëna për këtë rast pritet të dalin të shtunën.

Sidoqoftë, Administrata për Mallra Terapeutike e Australisë më parë ka thënë se vaksina e kësaj kompanie nuk është e lidhur me rritje të rrezikut të përgjithshëm për mpiksje të gjakut.

Të enjten, Britania identifikoi 30 raste të mpiksjes së rrallë të gjakut pas vaksinimit, ndërsa Gjermania, Franca, Spanja dhe Kanadaja e kufizuan përdorimin e vaksinës së AstraZeneca-s pas raporteve të ngjashme.

(Kosova Sot Online)