Britania mbron AstraZeneca-n, por regjistron 7 të vdekur nga mpiksja pas vaksinimit

  • G.G /
  • 03 April 2021 - 11:48
Britania mbron AstraZeneca-n, por regjistron 7 të vdekur nga mpiksja pas vaksinimit

Shtatë persona kanë vdekur nga mpiksja e pazakontë e gjakut pas marrjes së vaksinës së AstraZeneca-s në Britaninë e Madhe, i ka konfirmuar BBC-së rregullatori i produkteve mjekësore.

Në përgjithësi, deri më 24 mars, 30 nga 18 milionë persona të vaksinuar kanë përjetuar mpiksje të tillë. Ende nuk është e qartë nëse ky problem shëndetësor te pacientët ka qenë i rastësishëm apo efekt anësor i njëmendtë i vaksinës.

Agjencia Rregulluese për Produkte Mjekësore dhe Kujdesit Shëndetësor thotë se përfitimet që i sjell kjo vaksinë vazhdojnë të peshojnë më shumë se çfarëdo rreziku i mundshëm.

Megjithatë, shqetësimet e shkaktuara nga këto raste i kanë nxitur shtetet si Gjermania, Franca, Kanadaja dhe Holanda që ta kufizojnë përdorimin e vaksinës së AstraZeneca-s vetëm për personat më të moshuar, shkruan BBC.

Shkencëtarët janë duke punuar për të zbuluar nëse vaksina e kësaj kompanie është duke e shkaktuar mpiksjen shumë të rrallë të gjakut. Këtë javë, Agjencia Evropiane e Ilaçeve tha se një gjë e tillë nuk është e vërtetuar, por është e mundshme.

Gjermania ka raportuar 31 raste me mpiksjen CVST dhe nëntë të vdekur nga 2.7 milionë persona të vaksinuar. Shumica e rasteve janë paraqitur te gratë e moshës së mesme.

(Kosova Sot Online)