Abelard Tahiri: Presim tërheqjen e kandidaturës së Osmanit dhe propozimin e një figure unifikuese për president

  • E.K /
  • 03 April 2021 - 16:03
 Abelard Tahiri: Presim tërheqjen e kandidaturës së Osmanit dhe propozimin e një figure unifikuese për president

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka thënë që edhe në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është diskutuar për votimin e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.

“Mbledhja ishte shumë e njëjtë me seancën e mbrëmshme e ku u mundohej që të kontrabandohej Ligji për Zgjedhja. Logjika e shantazhit për këtë ligj si mbrëmë ishte e njëjtë edhe në mbledhjen e sotme. Ne i kërkuam dhe i kërkojmë asaj mazhorance të papërgjegjshme ë të merret me problemet e qytetarëve, pandemi, drejtësi e siguri dhe ata më së paku e kanë mendjen tek mirëqeverisja”

Tahiri deklaroi se kanë kërkuar nga partia në pushtet që të gjejnë bashkërisht një person unifikues për president.

“Edhe Kushtetuta e thotë qartë që presidenti zgjidhet në seancë solemne dhe në mënyrë të dinjitetshme teksa sot presidenti po tentohet të zgjidhet në mënyrë të turpshme. Jemi në afate kushtetuese dhe u kemi kërkuar që ta zgjedhim një figurë që është e përshtatshme dhe që i përfaqëson qytetarët. Ky vullnet nuk po shihet tek mazhoranca. Nëse shkojmë në zgjedhje shkojmë për shkak të Albin Kurtit që po dezerton nga përgjegjësia e tij shtetërore”, ka thënë më tutje Tahiri.

Ndër të tjera ai tha se janë në pritje që VV-ja ta tërheqë kandidaturën e Osmanit për presidente dhe ta zgjedhin një tjetër së bashku.

“Në asnjë rrethanë nuk ndihmojmë dhe nuk kontribuojmë në zgjedhjen e Vjosa Osmanit. Ne presim që të tërheqin këtë kandidaturë edhe ta gjejnë një person unifikuese dhe që e përfaqëson popullin”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)