Seanca për zgjedhjen e presidentit mbahet sot në orën 18:00

  • E.K /
  • 03 April 2021 - 16:07
Seanca për zgjedhjen e presidentit mbahet sot në orën 18:00

Ushtruesja e detyrës së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka konfirmuar se seanca për votimin e presidentit do të mbahet nga ora 18:00 të shtunën.

Kusari-Lila këtë konfirmim i bëri nëpërmjet një konference të mbajtur pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.

“Seanca për zgjedhjen e presidentit mbahet sonte në ora 18:00. Ne si grup parlamentar kemi shpreh gatishmërinë që të marrim të gjitha hapat e duhur për mbarëvajtje të suksesshme të një séance për zgjedhjen e presidentes”, deklaroi ajo.

Ajo ka insistuar se subjekti politik që Kusari-Lila përfaqëson është tërhequr nga qasja e një-anshme ndaj ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe se VV do të bashkëpunojë me partitë opozitare karshi këtij ligji.

“Sot në mëngjes edhe u.d. i presidentit Konjufca, Kurti dhe Osmani kanë thënë se unk do bëjnë asnjë hap pa opozitën. Dje, iniciativa e deputetëve të VV ishte konform premtimeve tona publike në raport me mërgatën dhe jo një shantazh”, deklaroi ajo.

Megjithatë, siç ka marrë vesh media nga burime brenda Kryesisë së Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje tashmë po ia kërkon LDK’së 15 nënshkrimet e deputetëve të vetë, si kusht për tërheqjen e Ligjit për Zgjedhjet nga Kuvendi.

Siç mëson media, ka qenë shefja e Grupit Parlamentar të VV’së, e cila ia ka kumtuar një kërkesë të tillë Arben Gashit të LDK’së

Kusari-Lila i ka thënë Gashit që VV e heq Ligjin për Zgjedhje nëse LDK ia sjell 15 nënshkrimet ku garantohet se do të marrin pjesë në seancën për presidentin.

 Ndaj kësaj kërkese ka qenë i prerë Arben Gashi, i cili i ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk pranon shantazhe.

Gashi pas kësaj deklarate, ka lëshuar edhe mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit ,dhe ka thënë se LDK s’merr pjesë në seancë meqë Vetëvendosje ende nuk e ka tërhequr Ligjin nga Kuvendi.

Për tërheqjen e Ligjit nga Kuvendit, propozuesit e seancës së jashtëzakonshme duhet që zyrtarisht t’i dërgojnë letër Kryesisë së Kuvendit.

(Kosova Sot Online)