Për herë të parë në 15 vite, ky shtet shkon në zgjedhje presidenciale

  • A.P /
  • 05 April 2021 - 15:22
Për herë të parë në 15 vite, ky shtet shkon në zgjedhje presidenciale

Për herë të parë në 15 vite, Palestina shkon në zgjedhje presidenciale. Mahmud Abbas këtë herë do të sfidohet nga ai që konsiderohet si Mandela i Palestinës: Marwan Barghouti.

Presidenti Mahmud Abbas,  kontrollon Autoritetin Palestinez (PA) në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, ndërsa Hamas, ka drejtuar Rripin e Gazës të bllokuar nga Izraeli që nga viti 2007.

Kur presidenti palestinez Mahmud Abas vendosi që zgjedhjet presidenciale dhe të përgjithshme do të mbahen pas pak javësh; të parat në 15 vite, reagimi i parë ishte shumë skeptik.

Nuk do të ishte hera e parë që gjatë këtyre viteve zgjedhjet shpalleshin dhe më pas anuloheshin.

Deklarata e tij shihet si një përpjekje e lidershipit aktual për të konfirmuar legjitimitetin e tij njëkohësisht me qëndrimin në Shtëpinë e Bardhë të administratës Biden.

Por me kalimin e javëve, takimi elektoral që do të nisë në 22 maj me zgjedhjet e përgjithshme e që do duhej të vazhdojë në 31 korrik me zgjedhjet presidenciale duket si një skenar realist dhe me shumë lëvizje.

Të dielën komiteti elektoral qendror miratoi 36 lista.

Prej kohësh sondazhet tregojnë se Barguti – i konsideruar nga palestinezët si një ikonë e rezistencës që po paguan një çmim personal për luftën e popullit të tij do të dilte fitues nga çdo përballje me presidentin aktual.

Gjithnjë e më shumë zëra pretendojnë se Mahmud Abbas, për të shmangur një humbje të mundshme personale, mund të përpiqet të anulojë, apo të paktën të shtyjë zgjedhjet. Këtë mundësi mund ta ketë pikërisht nga Izraeli, nëse nuk lejohet që të vendosen qendra votimi në Jeruzalemin lindor.

Prej muajsh liderët palestinezë kërcënojnë se nëse nuk do të zhvillohet votimi dhe në Jeruzalem, nuk do të ketë zgjedhje. Gjithsesi Izraeli, që nuk e kundërshtoi këtë mundësi as në 1996-ën dhe as në 2006-ën, nuk është shprehur ende për këtë çështje.

(Kosova Sot Online)