Kërkimet në Kizhevak, Arsim Gerxhaliu: Dy trupat e gjetur janë nga fshati Rezallë

  • E.K /
  • 06 April 2021 - 10:25
Kërkimet në Kizhevak, Arsim Gerxhaliu: Dy trupat e gjetur janë nga fshati Rezallë

Gjatë ditës së djeshme Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se ka pranuar informacione se eshtrat e zhvarrosura vitin e kaluar nga një varrëze masive në Kizhevak të Serbisë, e që më pas janë dërguar për analizë të ADN-së, u përkasin viktimave të luftës në Kosovë.

E që në një intervistë Arsim Gerxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë njoftoi se dy trupat e gjetur në Kizhevak janë viktima të luftës së Kosovës.

Ai tregoi se viktimat janë nga fshati Rezallë.

“Ne e dimë që bëhet fjalë për trupat e Rezallës. Këto dy identifikime lidhin teorinë se janë nga fshati Rezallë”, u shpreh zoti Gerxhaliu, teksa tregoi se pas të identifikohen të gjithë trupat në këtë varrezë, do të dërgohen në Kosovë”, tha Gerxhaliu në një intervistë për Euronews.

Ai tha se ende nuk ka një datë të caktuar se kur do të nisin sërish kërkimet në Kizhevak, po ashtu shtoi se kanë informacione për një varrezë të re në afërsi të Sinicës.

“Kemi informacione për një varrezë të re që do ta kontrollojmë gjithashtu, në afërsi të Sinicës, në një minierë”, tregoi Gerxhaliu.

Gërmimet në varrezën masive të Kizhevakut, pranë Rashkës, janë bërë në fund të vitit të kaluar.

(Kosova Sot Online)