Dyshohet se përfitoi shuma të majme parash me fajde, arrestohet pejani

  • G.G /
  • 06 prill 2021 - 15:11
Dyshohet se përfitoi shuma të majme parash me fajde, arrestohet pejani

Policia e Kosovës ka arrestuar në rajonin e Pejës një person të dyshuar për veprën penale “Fajde”.

Në një komunikatë për media nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se lidhur me këtë rast janë kryer hetime disa mujore.

“Referuar hetimeve të zhvilluara dhe urdhëresës së Gjykatës Themelore në Pejë, në proces janë aplikuar masat e fshehta teknike, ku gjatë monitorimit të këtyre masave janë siguruar informacione se personi (B. U. 1963) nga rajoni i Pejës, tanimë i arrestuar, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Fajde’”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, policia bën të ditur se B.U. dyshohet se ka përfituar shuma të majme parash nga persona të ndryshëm, duke aplikuar përqindje të larta interesi.

“I njëjti dyshohet se për veprën penale në fjalë ka përfituar shuma të larta parash nga persona të ndryshëm duke aplikuar përqindje të larta interesi, përderisa gjatë verifikimit ka rezultuar se është recidivist i kryerjes së veprave të ndryshme penale. Nën mbështetjen e Njësisë Speciale Operative (NJSO), sipas Urdhëresës së Gjykatës për kontroll/bastisje në pronën gjegjësisht shtëpinë dhe objektet përcjellëse të personit të dyshuar”, thuhet në njoftim.

I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Me vendim të prokurorit kompetent personi i dyshuar pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, njofton policia.

(Kosova Sot Online)