Dubai dëbon gratë që dolën të zhveshura në ballkon

  • E.K /
  • 07 April 2021 - 12:12
 Dubai dëbon gratë që dolën të zhveshura në ballkon

Dubai do t’i dëbojë gratë që u fotografuan të zhveshura në ballkonin e një ndërtese, thanë autoritetet pasi e kritikuan incidentin si diçka që është jashtë vlerave të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Grupi i grave të zhveshura, të cilat po pozonin për një fotograf javën e kaluar në një ballkon në zonën Marian, mund të shiheshin edhe nga ndërtesat përreth. Pamjet qarkulluan shumë në rrjetet sociale.

“Individët e përfshirë do të dëbohen nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Asnjë koment tjetër nuk do të bëhet për këtë çështje”, tha prokurori i përgjithshëm i Dubait, Essam Issa Al Humaidan përmes një deklarate.

Në deklaratën e prokurorit nuk përmendet përkatësia kombëtare e grave të përfshira, shkruan Reuters.

Policia e Dubait njoftoi të shtunën se i ka arrestuar personat e përfshirë në fotografim dhe paralajmëroi kundër atyre që i cilësoi si “sjellje të papranueshme që nuk i pasqyrojnë vlerat dhe etikën e shoqërisë së Emirateve”.

Të huajt që jetojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe shpesh janë prekur nga ligjet e pazakonta për ta, përfshirë dënimet për konsumim të alkoolit dhe puthjet në publik.

(Kosova Sot Online)