Arrestohet hajduti i pikturës me vlerë 5 milionë paund

  • S.A /
  • 07 April 2021 - 13:18
Arrestohet hajduti i pikturës me vlerë 5 milionë paund

Policia holandeze ka arrestuar një të dyshuar për vjedhjen e dy pikturave me vlerë nga Vincent van Gogh dhe Frans Hals. Në një deklaratë të postuar në Twitter, zëdhënësja e policisë Maren Wonder tha se një 58-vjeçar u arrestua në shtëpinë e tij në qytetin holandez të Baarn-it. 

Identiteti i tij nuk u publikua, në përputhje me udhëzimet holandeze të privatësisë.

“Për fat të keq, ne ende nuk i kemi marrë pikturat dhe hetimi po vazhdon”, tha Wonder.

Reklamë

Ajo e quajti arrestimin “një hap me të vërtetë të rëndësishëm në hetim”.

“Kopshti Parsonage në Nuenen në Pranverë” e Van Gogh-ut u rrëmbye nga muzeu Singer Laren në lindje të Amsterdamit në orët e para të 30 marsit 2020.

Piktura me vaj në letër tregon një person që qëndron në një kopsht të rrethuar me pemë me një kullë kishe në sfond. Piktura ishte e vlerësuar me pesë milionë paund.

Vepra e Hals, “Dy djem të qeshur”, u vodh rreth pesë muaj më vonë nga “Muzeu Hofje van Mevrouw van Aerden” në Leerdam, 60 kilometra në jug të Amsterdamit.

Hajdutët e morën pikturën pasi goditën derën e xhamit të përparmë të muzeut. Pas vjedhjes, alarmi kishte rënë, por hajdutët kishin ikur kur arritën në vendngjarje oficerët e policisë.

(Kosova Sot Online )