Filloi vaksinimi i stafit shëndetësorë në Podujevë

  • A.P /
  • 07 April 2021 - 15:54
Filloi vaksinimi i stafit shëndetësorë në Podujevë

Në Qendrën Kryesore të Mjeksisë Familjare Podujevë, kanë arritur 150 vaksinat e para, të destinuara për vaksinimin e stafit shëndetësor.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, së bashku me drejtorin e Shëndetësisë, Driton Veliu dhe drejtorin e QKMF-së, Ymer Llugaliu, sot kanë vizituar repartin e vaksinimit në QKMF, për ta përcjellur nga afër procesin e vaksinimit kundër COVID-19, ku në fazën e parë pritet të vaksinohen 150 punëtorë shëndetësorë.

“Do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me instancat relevante për të siguruar sa më shumë vaksina, sepse kjo shumë është e pamjaftueshme për t’i vaksinuar vetëm stafin shëndetësorë, sepse në komunën tonë janë rreth 250 mantelbardhë”, ka thënë Bulliqi.

Ai ka falënderuar stafin e QKMF-së për angazhimin e tyre në përballje me pandeminë dhe u zotua se ata do të jenë prioritet për t’u vaksinuar.

“Falenderoj stafin e specializuar të QKMF-së për punën dhe angazhimin e vazhdueshëm. Ata janë në vijën e parë të frontit gjatë gjithë kësaj kohe dhe meritojnë të jenë të parët edhe në vaksinim. Duke e konsideruar prioritet kryesor vaksinimin e tyre, unë nuk do të vaksionohem në këtë periudhë me qëllim që t’u japim përparësi personelit shëndetësorë”, tha ai.

Bulliqi u bëri apel punëtorëve shëndetësorë, por edhe qytetarëve, që të vaksionohen, sepse kjo është mundësia e vetme që t’i japim fund pandemisë Covid-19.


(Kosova Sot Online)