Zbulohen shkaktarët që çuan në dëmtimin e rrugës Mitrovicë-Prishtinë

  • A.P /
  • 08 prill 2021 - 16:27
Zbulohen shkaktarët që çuan në dëmtimin e rrugës Mitrovicë-Prishtinë

Pas paraqitjes së deformimeve në rrugën nacionale N2, segmenti në dalje te Auto-udhës A7 në drejtim të Prishtinës nga Mitrovica në fshatin Mazgit, në janar është bërë mbyllja e daljes në drejtim të Prishtinës si dhe njëri shirit i qarkullimit, drejtimi Mitrovicë-Prishtinë.

Një pjesë e Autoudhës N2 pësoi plasaritje të mëdha në fund të dhjetorit 2020. Më pas një pjesë u shemb.

Institucioni përgjegjës nën autoritetin e të cilës është kjo rrugë, Ministria e Infrastrukturës ka bërë përgjegjës një ndërtues, i cili kishte filluar gërmimet për ndërtimin e një objekti. Në ministri nuk kanë treguar nëse janë marrë masa ndaj kompanisë e cila kishte filluar punën ilegalisht.

“Sa i përket kyçjes në Autostradën “Ibrahim Rugova” në fshatin  Mazgit në rrugën Prishtinë- Mitrovicë (N2), ku si rezultat i  hapjes së gropës ndërtimore pa pëlqim të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), nga një ndërtues, ka ndodhur rrëshqitja e trupit të rrugës dhe shembja e shtresës qarkulluese”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Infrastrukturës.

Që disa muaj, ministria ka caktuar një komisionin profesional që të merret me sanimin e kësaj rrëshqitje. Ata kanë treguar për veprimet e ndërmarra nga ta.

“MMPHI menjëherë ka bërë veprimet e duhura duke filluar nga rilevimi i terenit, duke bërë profilet tërthore të terrenit dhe pastaj me studimin gjeomekanik të kësaj rrëshqitje ku janë bërë shpimet me sonda në thellësinë deri 20 metra, nën shtresën qarkulluese. Ndërsa në pjesën e poshtme të skarpates ka qenë e pamundur vendosja e mekanizimit për shpim për shkak të lëvizjes permanente të skarpates dhe kushteve atmosferike që kanë qenë të disfavorshme për këtë problem. Ministria ka caktuar komisionin profesional që të merret me sanimin e kësaj rrëshqitje”, bëri tutje të ditur MI-për lajmi.net.

Pos, hapjes ilegale të gropës, ministria ka bërë përgjegjës personat që janë marrë me projektin e rrugës, pasi thonë se ai si i tillë nuk i ka plotësuar kushtet teknike

“Kjo rrugë në atëkohë është ndërtuar pa shpronësimin e pronave të përfshira në këtë ndërtim dhe në atë kohë është punuar një projekt, i cili nuk i ka plotësuar kushtet teknike për tu proceduar me tutje, pasi që ka pasur shpërputhje të projektit dhe gjendjes ne teren. Tani ne kemi bërë revidimin e këtij elaborati të shpronësimit dhe jemi në fazën finale të përfundimit të tij. Problem në vete në këtë projekt paraqet mungesa e dokumentacionit kadastral i grabitur nga Serbia. Me se shumti problem po paraqet, mungesa e planeve grafike që kemi në zonën kadastrale Kralice dhe ekipi i gjeodeteve po bëjnë përpjekje për ti siguruar këto plane në mënyrë që të përfundoj ky projekt”, thanë tutje nga ministria.

Ky dikaster qeveritar nuk ka mundur të japë një datë se kur mund të fillojë qarkullimi i rregullt edhe mbi atë pjesë të rrugës.

Pas dëmtimit të rrugës, automjetet të cilat vijnë nga Auto-udha A7 për të vazhduar në drejtim të Prishtinës duhet të vazhdojnë në drejtim të fshatit Mazgit, më saktë në segmentin rrugor Prishtinë-Mitrovicë dhe të shfrytëzohet rreth rrotullimi në fshatin Mazgit (rreth rrotullimi që gjendet në afërsi të tyrbes së Sulltan Muratit) dhe më pas të vazhdojnë në drejtim të Prishtinës. 

(Kosova Sot Online)