Në këtë vend paralajmërohet krizë,1 kilogram misër kushton sa një pagë

  • E.K /
  • 09 April 2021 - 09:21
Në këtë vend paralajmërohet krizë,1 kilogram misër kushton sa një pagë

Lideri i Koresë Veriore, Kim Jong-un, u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit që e udhëheq që të përgatiten për një krizë të vështirë, pas paralajmërimeve të grupeve për të drejtat e njeriut se shteti i vogël komunist përballet me mungesë të madhe të ushqimit dhe jostabilitet ekonomik.

Duke folur në një konferencë të partisë, Jong-uni dukej sikur e krahasonte situatën me urinë famëkeqe vdekjeprurëse të viteve të nëntëdhjeta, shkruan BBC.

Koreja Veriore i ka mbyllur kufijtë për shkak të pandemisë së koronavirusit, ndërsa e ka bllokuar tregtinë edhe me Kinën, që e ka partneren kryesore në ekonomi.

Në një rast të rrallë ku i pranoi vështirësitë, udhëheqësi autoritar këtë javë paralajmëroi se vendi është përballur me gjendjen më të vështirë ndonjëherë dhe me numër të pashembullt të sfidave.

Çmimi i misrit, që është ushqim për shumicën e banorëve ruralë të Koresë Veriore, raportohet të jetë luhatur shumë dhe në kohë të caktuar, një kilogram misër ka kushtuar më shumë se paga mujore e një koreanoveriori.

Lina Yoon, hulumtuese e organizatës “Human Rights Watch”, citoi kontakte të paidentifikuara në Korenë Veriore të kenë thënë se nuk ka pothuajse aspak ushqim që futet nga Kina për gati dy muaj.

“Ka gjithashtu më shumë lypës, disa kanë vdekur nga uria në zonën kufitare, nuk ka sapunë, pastë për dhëmbë apo bateri”, thuhet në raport.

Raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Korenë Veriore, Tomas Ojea Quintana, muajin e kaluar paralajmëroi për një krizë serioze ushqimore që tashmë po shkakton kequshqyerje dhe vdekje nga uria.

(Kosova Sot Online)