Kina dënon me vdekje dy ish-zyrtarë ujgurë për botim librash “separatistë”

  • G.G /
  • 09 April 2021 - 13:04
Kina dënon me vdekje dy ish-zyrtarë ujgurë për botim librash “separatistë”

Një gjykatë kineze ka dhënë dënim me vdekje pa zbatim të menjëhershëm për dy ish-drejtorë të Departamentit të Arsimit në Xinjiang për disa akuza, përfshirë shkrimin dhe publikimin e teksteve shkollore që “do ta ndanin vendin”.

Sattar Sawut dhe zëvendësi i tij, Shirzat Bawudun, u dënuan me dënim me vdekje me dy vjet periudhë të moszbatimit, ndërsa pesë burra të tjerë ujgurë, përfshirë redaktorë, u dënuan me burgim të gjatë, sipas raportimit të medieve shtetërore kineze.

Data e vendimit për këto dënime nuk dihet, por masa u publikua në një video të medieve shtetërore javën e kaluar, në kohën kur qeveria kineze ka nisur fushatë kundër kritikave ndërkombëtare rreth shkeljes së të drejtave të pakicës ujgure në rajonin Xinjiang.

Sipas sistemit juridik kinez, dënimin me vdekje pa zbatim të menjëhershëm mund të zbutet në 25 vjet burgim ose burgim të përjetshëm, nëse i dënuari tregon sjellje të mirë, shkruan The Guardian.

Sattar u akuzua për ndërtimin e një ekipi dhe planifikim së bashku me zëvendësin që të inkorporojnë “ide të përgjakshme, të dhunshme, terroriste dhe separatiste” në librat shkollorë për shkolla fillore dhe të mesme, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve në Kinë, “Xinhua”.

Librat për të cilët bëhet fjalë në rastin gjyqësor janë botuar që në vitin 2003, por përmbajtja e tyre më 2016 nga autoritetet në Xinjiang u cilësua si “separatiste” dhe nxitëse e urrejtjes etnike.

(Kosova Sot Online)